“Do të kthehemi në shtëpinë tonë”, Turqia rihap ambasadën në Kiev
Turqia e ka rikthyer ambasadën e saj në Kiev të Ukrainës, pasi muajin e kaluar ka evakuuar stafin për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Përparimi i trupave ruse drejt Kievit ka bërë që Turqia muajin e kaluar të zhvendoste ambasadën e saj në Çernivtsi, qytet në afërsi të kufirit me Rumaninë.
“U desh që përkohësisht të zhvendosnim aktivitetet tona në qytetin Çernivtsi, që u bë qendra jonë logjistike. Prej sot, ne do të kthehemi në Kiev, në shtëpinë tonë”, ka thënë Ambasada turke në Ukrainë përmes një postimi në faqen zyrtare në “Twitter”.
Ukraina ka thënë se forcat ruse po tërhiqen nga pjesët veriore përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, dhe nga Çernihivi.
Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, së fundi ka thënë se do të përqendrojë aktivitetet e saj ushtarake në lindje të Ukrainës./Rel/