Do të organizojmë edhe protesta të tjera derisa ta rrëzojmë qeverinë

28 prill 2019 | 12:59

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka bërë me dije se protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e qeverisë.

Për këtë ajo ka thënë se bashkëpunimi opozitar është i logjikshëm dhe i pritshëm.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Mulhaxha-Kollçaku ka vlerësuar se PAN-i ka për qëllim interesat partiake e jo ato shtetërore.

Ajo ka deklaruar se ky koalicion nuk ka marrë vendime pozitive për vendin prandaj, sipas saj, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje.

Deputetja Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se pakënaqësia qytetare është rritur sa i përket mungesës së rendit dhe ligjit.

Ajo ka vlerësuar se pa i luftuar krimin dhe korrupsionin nuk ka ecje përpara

“Epoka e re”: Znj. Mulhaxha-Kollçaku, të premten Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një protestë para zyrës së kryeprokurorit të shtetit. Është kërkuar largimi i tij. Prisni rezultate nga kjo protestë?
Mulhaxha-Kollçaku: Presim reflektim nga kryeprokurori dhe gjyqtarët për ta kryer detyrën për çfarë janë të thirrur. Duhet të ketë guxim një njeri që e merr postin e kryeprokurorit, dhe ky guxim nuk duhet të humbet në gjysmë të rrugës. Deri më tash Lëvizja Vetëvendosje i ka denoncuar shumë herë krimin dhe korrupsionin institucional. Këtë e kemi bërë kryesisht në seanca parlamentare. Do të thotë, veprimin tonë opozitar e kemi kryer aty ku është vendi, në Kuvendin e Kosovës. Janë bërë shumë shkelje të mëdha, sidomos prej zyrtarëve të profilit të lartë shtetëror, por askush nuk është marrë me ta. Janë 70 raste të hapura për zyrtarë të lartë, por deri më tani nuk ka asnjë dënim. Ky jo vetëm se ka qenë kushti për liberalizimin e vizave, por do të vazhdojë të jetë edhe kushti për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Nuk synojmë ta marrim drejtësinë në duart e tona, por po bëjmë presion publik që prokuroria dhe gjyqësori t’i ndjekin dhe t’i përfundojnë këto raste, sepse pa e luftuar krimin dhe korrupsionin nuk ka ecje përpara. Ata që nuk janë të gatshëm për ta kryer detyrën duhet t’ua lëshojnë vendin të tjerëve të cilët kanë guxim dhe vullnet për të punuar dhe për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Protesta e së premtes ka qenë reagim qytetar, sepse jo vetëm Lëvizja Vetëvendosje është e pakënaqur me gjendjen e përgjithshme në Kosovë, në veçanti me sistemin e drejtësisë.

“Epoka e re”: Për këtë çështje dhe për të tjera, a do të vazhdojnë protestat?
Mulhaxha-Kollçaku: Kjo protestë nuk ka qenë e para dhe nuk do të jetë as e fundit. Aktiviteti opozitar po vazhdon edhe në tubimet me qytetarë nëpër komuna. Aty po shohim pakënaqësinë e madhe të qytetarëve me krejt sistemin, në veçanti me mungesën e sundimit të rendit dhe ligjit. Do të kemi edhe protesta të tjera deri në rrëzimin e kësaj qeverie dhe krejt kjo është në funksion të përmirësimit të situatës në Kosovë. Por, megjithatë, mendojmë se zgjidhja e fundit janë zgjedhjet. Deri në zgjedhjet e parakohshme demokratike do të vazhdojë agonia. Sikur të kishin ndërgjegje këta pushtetarë vetë do të jepnin dorëheqje. Disa prej tyre do të kenë mundësi të shkojnë në shtëpi, por shumë prej tyre do të përgjigjen para organeve të drejtësisë.

“Epoka e re”: Meqë po thoni se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje, për ta arritur këtë qëllim jeni duke bashkëpunuar me LDK-në?
Mulhaxha-Kollçaku: Një bashkëpunim opozitar është edhe i logjikshëm, edhe i pritshëm. Shumë simpatizantë, aktivistë dhe udhëheqës të LDK-së, janë të pakënaqur me gjendjen aktuale. Do të bëjmë përpjekje që në vazhdimësi për çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të Kosovës t’i bashkërendojmë aktivitetet. Vetëvendosja ka treguar dhe tregon vullnet për bashkëpunim opozitar.

“Epoka e re”: Por në protestën e së premtes nuk mori pjesë LDK-ja.
Mulhaxha-Kollçaku: Protestat tona edhe në të kaluarën nuk janë lidhur me subjektet politike me çdo kusht por, nëse i kanë mbështetur dhe u janë bashkangjitur, i kemi mirëpritur. Tani për tani kemi vetëm një koalicion dhe ai është me qytetarët. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për kauza të drejta.

“Epoka e re”: Në kuadër të këtij bashkëpunimi në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, a mund të pritet ndonjë iniciativë konkrete për rrëzimin e qeverisë qoftë me mocion në Kuvend, qoftë me protesta në rrugë?
Mulhaxha-Kollçaku: Në momentin që do t’i kemi votat e mjaftueshme do ta iniciojmë edhe mocionin ndaj qeverisë, mirëpo aktualisht si opozitë nuk i kemi numrat për ta bërë një gjë të tillë. Presim reflektim të deputetëve të tjerë të cilët nuk janë të kënaqur dhe të tillë ka edhe në mesin e partive në pushtet. Këta pushtetarë edhe në të kaluarën kanë dëshmuar se kur u janë prishur pazaret e kanë rrëzuar vetveten. PAN koalicioni është një krijesë artificiale me shumë subjekte politike që ka për qëllim interesat personale dhe partiake, e jo interesat shtetërore.

“Epoka e re”: Si e keni parë qeverisjen e deritanishme të këtij koalicioni qeverisës?
Mulhaxha-Kollçaku: Jo vetëm ne, por të gjithë qytetarët e Kosovës kanë parë se nga ky koalicion nuk ka ardhur asnjë vendim pozitiv për vendin. Ata ia kanë rritur pagat vetes, e kanë rritur numrin e zëvendësministrave, këshilltarëve, kanë punësuar familjarë, militantë partiakë, kanë keqpërdorur 53 milionë euro si dhe kanë ndërmarrë edhe një serë vendimesh të dëmshme. Këta zbatojnë ligjin vetëm ku iu konvenon. Autostrada për Dukagjin më shumë i ngjan një afere korruptive sesa një projekti që është në të mirën e qytetarëve aktualisht. Papunësia dhe varfëria janë në rritje, nuk ka përmirësim të mirëqenies se qytetarëve, por ka vetëm përmirësim të mirëqenies së pushtetarëve.

“Epoka e re”: Përballë kësaj qeverisje opozita a po e luan rolin që i takon?
Mulhaxha-Kollçaku: Kushdo që jeton në Kosovë e sheh angazhimin në veçanti të deputetëve dhe të aktivistëve të Vetëvendosjes. Nuk ka ditë që nuk kemi denoncuar ndonjë dukuri negative në shoqëri qoftë përmes seancave të jashtëzakonshme në Kuvend, debateve të ndryshme dhe formave të tjera qoftë vetëm si Vetëvendosje apo edhe me LDK-në. Kemi ngritur pa numër çështje dhe kemi denoncuar pa numër parregullsi. Mirëpo e gjithë kjo ka hasur në veshët e shurdhër të pushtetarëve të etur për pushtet të cilët tashmë e kanë humbur rrugën në oborr. Të njëjtit njerëz që e kanë kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi më vonë e nënshkruan atë. Premtuan korrigjim, por në këtë drejtim ende nuk ka asnjë lëvizje. Në anën tjetër presidenti është angazhuar për pazare me Serbinë, përkatësisht për shkëmbim të territoreve pa pasur autorizimin e Kuvendit dhe Kushtetutës.

“Epoka e re”: Me këtë qeveri dhe me këtë president, si e shihni ecurinë e dialogut me Serbinë?
Mulhaxha-Kollçaku: Është formuar një ekip i cili, kinse ka marrë autorizimin e Kuvendit, por jo edhe nga opozita. Nuk është ekip konsensual, më shumë e ka formatin teknik. Me këtë qeveri çdo ditë është e humbur, prandaj sa më shpejt duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Pas zgjedhjeve demokratike në krye të shtetit do të vinte një qeveri e cila do ta udhëhiqte procesin e dialogut, pra një kryeministër që nuk do t’u ikë detyrave, meqenëse kryeministri aktual ka hequr dorë nga ky proces. Në të ardhmen duhet ta kemi një qeveri të aftë dhe të guximshme për t’iu prirë proceseve të tjera dhe bisedimeve me Serbinë e cila na ka shumë borxh. Serbia nuk ka kërkuar falje. Ende nuk e pranon krimin dhe gjenocidin që ka bërë në Kosovë. Përkundrazi, po e luan rolin e viktimës , edhe pse botërisht dihet se e ka pasur rolin e xhelatit. Kosova duhet t’i tregojë botës se ka qenë viktimë. Në këtë dialog duhet të kemi pozicion të barabartë. Dhe duhet të kërkojmë që Serbia t’i paguajë dëmet e luftës në Kosovë.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e Vetëvendosjes nga Samiti i Berlinit dhe a besoni në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Mulhaxha-Kollçaku: Sa do që ka qëllime të mira nga miqtë tanë, Serbia çdo ditë po jep prova se nuk është e gatshme për një marrëveshje përfundimtare. Nuk ka ende ndryshim substancial në Serbi. Derisa kemi një Serbi që nuk është ballafaquar me të kaluarën është shumë vështirë të ketë një marrëveshje përfundimtare për normalizim. Ne e mirëpresim angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe të miqve tanë që gjatë gjithë historisë na kanë ndihmuar, por mendojmë se presion duhet bërë Serbisë. Kosova meriton që t’i përshpejtohen proceset integruese. Serbia historikisht ka nxitur luftëra, kurse Kosova është mbrojtur. Ende janë të pakta gjasat për marrëveshje të pajtimit. Dialogut duhet të rifillojë për së mbari, me një qeveri të re e cila do ta përfaqësojë shtetin sovran dhe nuk ka për çka të turpërohet por, përkundrazi, do të kërkojë nga Serbia të paguajë ato që i ka bërë në Kosovë.

 Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësit e ushtrisë së Sudanit dhe liderët e opozitës kanë…