“Do të përplasemi keq”, pozita e opozita akuzojnë njëra-tjetrën se po i ikin hetimit për rrymën

28 prill 2022 | 13:05

Pushteti dhe opozita po diskutojnë në Kuvendin e Kosovës në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë.

Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LV-ja ka ardhur me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006. Nga opozita është paralajmëruar një përplasje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë në emër të qeverisë se “nuk kemi asgjë për të fshehur”.

“Në fakt mirëpresim momentin dhe këtë mundësi për të sqaruar shumë gënjeshtra dhe manipulime të cilat jeni duke i bërë ditëve të fundit”, ka thënë  ajo.

Nga pozita e akuzuan opozitën se kanë frikë nga hetimi për periudhën 16-vjeçare.

 

Por, opozita sheh një kurth të pushtetit në këtë kundërpropozim.

“Ne jemi shumë dakord që të hetohet që nga viti ’99, por imagjinoni një gjë, Komisioni hetimor ka gjashtë muaj mandat. A po ua merr mendja që për gjashtë muaj, edhe nëse punojmë 12 orë në ditë, kemi me mujtë me i përmbledh krejt këto sene a?”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Më i ashpër ishte shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili e ka cilësuar të palogjishëm, të paarsyeshëm, antiligjor e antikushtetues propozimin e pushtetit.

“Pushteti po tenton ta marrë një një instrumet kushtetues, mbikëqyrja e institucioneve të pavarura”, ka thënë ai.

“Për ne si grup parlamentar i LDK-së është e rrezikshme”, ka thënë  Gashi, duke thënë se pushteti s’mund t’ua imponojë 40 deputetëve se çfarë të hetojnë, pasi tha se kështu “përmbyset sistemi”.

Në atë rast, Gashi ka thënë se nuk flitet për demokraci, por për totalitarizëm.

“Kjo nuk bën me ndodhë. Sot e keni mundësinë me dëshmu a doni me hetu a jo. Sot fatkeqsisht do të përplasemi dhe do të përplasemi keq. Po ju kërkoj mirëkuptim, po ju kërkoj besim në demokraci, po ju kërkoj që këto vlera t’i respektojmë”, ka thënë ai.

“Opozita po kërkon komision mbi komision”, ka thënë Time Kadrijaj në emër të grupit parlamentar të AAK-së.

“Unë nuk e di çfarë po doni me fshehë”,  ka thënë ajo, duke theksuar se do ta mbështesin edhe ndonjë komision të propozuar nga LV-ja. Por, ajo ka kërkuar që propozimi i mëhershëm i opozitës të mos refuzohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Villarreali pësoi humbje në ndeshjen e parë gjysmëfinale nga Liverpooli…