Do të sjellë investime strategjike për ta bërë Mitrovicën qendër të investimeve
Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, sot është takuar me përfaqësuesit e kompanisë austriake “Frequentis”, të cilëve u ka premtuar se do t’i kenë dyert e hapura për të investuar në Mitrovicë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se si kryetar i Mitrovicës do t’i thjeshtojë procedurat dhe do ta eliminoj burokracinë për investitorët vendorë dhe të huaj.
Ai është zotuar se me kontaktet që ka krijuar nëpër botë, do të sjellë investime strategjike për ta shndërruar Mitrovicën në qendër të investimeve.
Postimi i plotë i Hamzës:
Kompanitë austriake dhe të gjithë investitorët e huaj do t’i kenë dyert e hapura për të investuar në Mitrovicë. Sot këtë ia konfirmova edhe përfaqësueses së kompanisë austriake “Frequentis”, Jadranka Godjevac, e cila po qëndron në Kosovë si pjesë e Misionit Ekonomik me Bizneset nga Austria. E mirëprita gatishmërinë e saj për të investuar në të ardhmen në qytetin tonë.
Si kryetar i Mitrovicës do t’i thjeshtoj procedurat dhe do ta eliminoj burokracinë, që investitorët vendorë dhe ata huaj të bëhen pjesë e vendimmarrjes.
Me kontaktet që kam krijuar nëpër botë do të sjellë investime strategjike për ta shndërruar Mitrovicën në qendër të investimeve.