Do t’i fitoj zgjedhjet në Podujevë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, beson se do të fitojë më 15 mars.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se qytetarët e kësaj komune në këto zgjedhje do të votojnë për ndryshim.
Fetahu ka deklaruar se Komuna e Podujevës ka nevojë për fitoren e PDK-së. Sipas tij, Podujevës i duhet një qeverisje që në qendër të vet ka interesin e qytetarëve, një qeveri që krijon perspektivë për të rinjtë, siguron drejtësi për punëtorët dhe mbështet bujqit.
“20 vjet pas luftës dhe nën udhëheqjen e vetëm një partie, Podujeva sot numëron më së shumti të rinj të papunë, më së paku zhvillim ekonomik, infrastrukturë të rrënuar, qeverisje lokale të kapur dhe të korruptuar, monopol të shërbimeve publike, punësime ekskluzivisht vetëm partiake dhe familjare”, ka thënë ai.
Fetahu ka pohuar se të dy kundërkandidatët e tij janë të konsumuar dhe pa ide.
“Epoka e re”: Z. Fetahu, sa është përgatitur PDK-ja dhe ju si kandidat për zgjedhjet në Komunën e Podujevës?
Fetahu: Partia Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka qenë në kontakt me strukturat e saj në mbarë vendin. Ka organizuar rregullisht aktivitete dhe është gjithmonë aktive, pavarësisht a është në pushtet apo në opozitë. Kontakti me qytetarin është primare, sidomos për degën e PDK-së në Podujevë e cila është në opozitë. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme në Podujevë, Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe mua si kryetar i Degës së PDK-së në Podujevë dhe kandidat për kryetar të komunës, na gjejnë të gatshëmdhe të përgatitur për të fituar në zgjedhjet e 15 marsit. Kësaj radhe po vërehet, si asnjëherë më parë, një disponim i mirë edhe i qytetarëve të Podujevës që ta bëjnë ndryshimin e madh për qytetin e tyre. Në Podujevë është rritur dhe tashmë është e gatshme për të votuar, një gjeneratë e re e popullsisë, e cila për 20 vjet nuk ka parë as edhe një ndryshim pozitiv në qytet. Ka ardhur koha që së bashku me qytetarët ta ndryshojmë këtë gjendje të mjerueshme dhe status quo.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e së hënës të gazetës “Epoka e re”)