Do t’i mbështesim bizneset që janë prekur nga pandemia
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka bërë me dije se përmes Pakos Emergjente Fiskale do t’i mbështesin bizneset që janë prekur nga pandemia Covid-19.
Sipas tij, kjo mbështetje do të bëhet në dy faza. Ai ka thënë se përmes kësaj pakoje synojnë edhe rimëkëmbjen e ekonomisë në vend.
Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka thënë se si ministër fokusi i tij do të jetë mbrojtja e konsumatorëve, prodhuesve vendorë dhe mbrojtja e eksportit.
Krasniqi ka thënë se si ministër do të angazhohet për fuqizimin edhe më të madh të bashkëpunimit me Shqipërinë. Në këtë intervistë, Krasniqi, që vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, ka folur edhe për situatën politike në vend. Ai ka thënë se nuk do të ketë zgjedhje të reja në vend pasi, sipas tij, qeveria e re do të ketë para vetes dy procese të rëndësishme, dialogun Kosovë – Serbi dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, cilat janë objektivat e juaja në mandatin e ministrit të MTI-së?
Krasniqi: Jam i vetëdijshëm për rëndësinë që ka MTI-ja, sidomos tani në kohën e pandemisë Covid-19. Synojmë t’i mbështesim bizneset me Pakon Emergjente Fiskale, gjithashtu edhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Mund t’jua konfirmoj se jemi në përfundim e sipër të programit për rimëkëmbjen ekonomike. Po ashtu, fokusi im në këtë mandat do të jetë mbrojtja e konsumatorëve vendorë, mbrojtja e prodhuesve vendorë dhe mbrojtja e eksportit.
“Epoka e re”: Kishte vërejtje për pakon emergjente, ndërkohë ju thoni se jeni në përfundim të një platforme. Çfarë dallon kjo platformë nga ajo e qeverisë Kurti?
Krasniqi: Mbështetjen e bizneseve e kemi planifikuar në dy faza. Pakoja ka filluar me qeverinë Kurti dhe ne tashmë e kemi modifikuar atë, sepse kemi trashëguar obligime të cilat nuk janë zbatuar nga qeveria Kurti, duke filluar nga shuma prej 170 eurosh për pagesën e dytë për punëtorët e sektorit privat. Prandaj, që në fillim kemi planifikuar rishikimin e buxhetit sepse pa rishikim të buxhetit as programin për rimëkëmbje të ekonomisë nuk do të mund ta realizojmë. Ne planifikojmë që me këtë pako më t’i shpenzojmë 180 milionë euro dhe do t’i mbështesim kryesisht bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat gjatë pandemisë nuk kanë mundur ta ushtrojnë veprimtarinë e vet. Çështja tjetër që jemi në përfundim e sipër është pakoja për rimëkëmbjen ekonomike.
“Epoka e re”: Keni nxjerrë një udhëzim administrativ sa i përket çështjes së gastronomisë, respektivisht mbajtjes së distancës, por ky vendim nuk po zbatohet. Sa është numri i inspektorëve të angazhuar?
Krasniqi: Këtë udhëzim administrativ e kam nxjerrë duke pasur parasysh numrin e të infektuarve me Covid-19 ditët e fundit. Në këtë drejtim kemi kërkuar që të mbahet distancë. Ne kërkojmë nga bizneset që ta respektojnë këtë vendim, gjithashtu edhe nga qytetarët, sepse nuk kemi mundësi të rrimë 24 orë në secilin lokal. Po për këtë çështje obligohen që ta monitorojnë situatën edhe inspektorët që janë në kuadër të komunave. Gjithashtu, kemi planifikuar ta rrisim numrin e inspektorëve në përgjithësi, që ta luftojmë ekonominë informale, sepse kjo është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian.
“Epoka e re”: Sa inspektorë planifikoni që t’i shtoni?
Krasniqi: Ne nuk japim shifra sikurse Lëvizja Vetëvendosje dhe më pas të dalim qesharakë. Ne synojmë që brenda mandatit tonë ta rrisim dukshëm këtë numër.
“Epoka e re”: Për turizmin keni pasur një takim me homologun tuaj nga Shqipëria, Blendi Klosi, si pritet të jetë bashkëpunimi me Shqipërinë dhe vendet e tjera si Malin e Zi?
Krasniqi: Ne kemi pasur takim edhe me kryetarin e Ulqinit dhe jemi pajtuar që të bashkëpunojmë, gjithmonë duke marrë parasysh instruksionet e institucioneve gjegjëse dhe me masat preventive që ne synojmë t’i praktikojmë. Sa i përket takimit me ministrin Klosi, jemi pajtuar që ta bëjmë hapjen sezonale në fillim të korrikut dhe, po ashtu, jemi pajtuar që në vjeshtë të bëjmë një hapje sezonale për turizmin në Kosovë, pasi vendi ynë shquhet me bjeshkë dhe bukuri të tjera natyrore. Po ashtu, jemi pajtuar ta krijojmë një platformë të përbashkët me pikat turistike nga të dyja vendet dhe këtë platformë ta shpalosim në shtetet e tjera evropiane, në mënyrë që të funksionojmë si ekipe.
“Epoka e re”: Kemi një paralajmërim për ngritje të çmimit të naftës. Po ashtu, naftëtarët kanë kërkuar uljen e çmimit për kalibrim. Si qëndron puna në këtë sektor?
Krasniqi: Që në fillim të marrjes së detyrës së ministrit kam zhvilluar takim me 20 përfaqësues të naftëtarëve dhe i kam dëgjuar shqetësimet e tyre. Ky dikaster është nga veprimtaritë më të ndjeshme në Kosovë. Por, ajo çfarë themi para jush dhe para qytetarëve, i siguroj konsumatorët për cilësi, për faktin se kontrollet e naftës bëhen në kufi. Pra, nafta nuk mund të hyjë pa i përfillur standardet e Bashkimit Evropian. Pastaj kemi edhe inspektimet e brendshme. Kemi një udhëzim administrativ që nuk është zbatuar, të cilin e kam gjetur në sirtarë të kësaj ministrie. I siguroj qytetarët dhe naftëtarët se këtë udhëzim do ta zbatoj, pasi është përpiluar me ligjin aktual. Kam kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me anë të këtij udhëzimi të sigurohen ndryshime të tjera që do të jenë në favor për konsumatorët dhe për naftëtarët. Sot kam nënshkruar një vendim për shtyrje të afatit për licenca të cilave u ka skaduar afati gjatë kohës së pandemisë sepse nuk kanë mundur të aplikojnë. Pra, është e padrejtë që inspektori të shkojë dhe t’i gjobisë. Me anë të nxjerrjes së këtij vendimi e kam shtyrë afatin deri më 24 korrik.
“Epoka e re”: Sa është numri i bizneseve të regjistruara dhe të shuara gjatë kohës së pandemisë?
Krasniqi: Nga statistikat që kam marrë, kemi një numër të vogël të shuarjes së bizneseve dhe kemi numër të madh të regjistrimit. Këto shifra janë të raporteve javore. Nga 15 marsi ende nuk i kemi të dhënat. Besoj se së shpejti dalim me statistika të sakta. Në opinion flitet shumë që janë dëmtuar bizneset, por ka më shumë biznese të regjistruara sesa të shuara. Qeveria do t’i mbështesë bizneset, edhe ato biznese që nuk u është paguar qiraja nga qeveria Kurti. Me rishikimin e buxhetit do t’ua paguajnë edhe qiranë edhe pagat. Po ashtu, ka mundësi edhe për shtyrje të kësteve të kredive me anë të vendimeve të BQK-së, si dhe çështja e Trustit për tërheqjen e mjeteve individuale.
“Epoka e re”: Kishte vërejtje për Ligjin për Investime Strategjike. Do të merrni iniciativë për amendamentim të këtij ligj, si dhe çfarë iniciativash të tjera do të dërgoni në qeveri?
Krasniqi: Ne kemi 15 biznese që kanë aplikuar për ta marrë titullin e investitorit strategjik por, për shkak të vakuumeve institucionale, nuk kanë arritur që të shqyrtohen kërkesat e tyre në komisionin ndërministror. Në këtë javë besoj se do ta procedoj në qeveri propozimin që të formohet komisioni ndërministror në kuadër të MTI-së që do të merret me shqyrtimin e këtyre kërkesave. Kemi kërkesa nga jashtë dhe nga brenda, pra është e rëndësishme që këtyre mos t’u humbë e drejta për të investuar. Këtë ligj do ta shtyjmë përpara dhe do ta zbatojmë.
“Epoka e re”: Për cilët sektorë ka më shumë kërkesa?
Krasniqi: Kryesisht kërkesat janë për bizneset prodhuese. Ka kërkesa në sektorin e energjisë, në përpunimin e produkteve bujqësore dhe për Kosovën e Re, por kjo kërkesë ka kaluar te MZhE-ja.
“Epoka e re”: Sa i përket qeverisë Hoti, a jeni optimist se koalicioni do ta çojë deri në fund këtë mandat?
Krasniqi: Është shumë interesant se sa shpesh përmenden numrat. Ne e patëm qeverinë Kurti me numër të madh të votave, por me numër të vogël të ditëve të qeverisjes, pasi ajo qeveri zgjati vetëm 51 ditë. Qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh bindjet politike, janë lodhur me vakum institucional dhe, si rrjedhojë, jemi në një gjendje jo të mirë. Prandaj, qeveria e tashme e ka mbuluar këtë vakum. Tani kemi çështjen e dialogut dhe është proces mjaft i vështirë. Mendoj se pa u përfunduar kjo çështje dhe pa kaluar pandemia nuk do të ketë zgjedhje. Nëse ekziston gjë e tillë do të shkatërrohet vendi. Sado që opozita do të jetë kritike, jam i sigurt se edhe opozita do të jetë e arsyeshme në këtë aspekt.
“Epoka e re: Cilat janë pritjet e juaja nga takimi në Uashington më 27 qershor, meqë është thënë se do të flitet edhe për çështje ekonomike?
Krasniqi: Nisma Socialdemokrate ka qëndrimin e vet në lidhje me këtë proces dhe ne qëndrojmë pas këtij qëndrimi se nuk ka lëvizje të kufijve të cilët i kemi të garantuar me Kushtetutë dhe nuk ka kompromis. Me përfundimin e dialogut do të shohim një të ardhme shumë të mirë dhe një zhvillim ekonomik, për faktin se shumë investitorë të jashtëm nga Evropa dhe ShBA-ja kanë hezituar të bëjnë investime për shkak të jostabilitetit politik. Sapo të zgjidhet kjo çështje do të kemi një siguri më të madhe si dhe do të kemi investitorë që drejtpërdrejt do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik.
(Albulena S. MAVRAJ)