Dodë Gjergji: E papranueshme që dikush t’i mohojë krimet që i ka kryer në të kaluarën
Në Meshën qendrore të Pashkëve, që sonte është mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji ka qenë kritik ndaj shoqërisë civile, politikës, e në veçanti ka kritikuar mediat për publikimin e lajmeve të pavërteta, që tha se po ndikojnë në largimin e të rinjve nga Kosova.
Imzot Dodë Gjergji po ashtu ka theksuar se është e papranueshme që dikush t’i mohojë krimet që i ka kryer në të kaluarën, ndërsa veç dialogut ndëretnik mes popujve, ka kërkuar edhe dialog mes shqiptarëve për të parë të ardhmen tonë.
Në mesazhin e Meshës së Pashkëve, Dodë Gjergji ka kujtuar ringjalljen e Krishtit.
“Nëpërmjet fesë që na është dhuruar prej tij dhe pagëzimit që kemi marrë, ne të gjithë në Kishë bëhemi bijtë e Hyjit. Nga ky zjarr kemi ndezur qiriun e Pashkëve, sepse nga zjarri i dashurisë së Hyjit tonë, shpërthen drita plotë shkëlqim. E kjo dritë është Krishti i ringjallur që ndrit Botën, ashtu sikurse qiriu i Pashkëve e ndrit natën e shenjtë të kësaj feste”, tha Gjergji.
Ai tha se pasi Zoti krijoi qiellin dhe tokën, në fund e krijoi njerëzimin “që të na dojë dhe që ta duam”.
“Sikurse lutja që thash në fillim, dhe agjërimi dhe lëmosha, janë njete për ta përforcuar besimin tonë, ashtu edhe mundimi, vdekja dhe ngjallja e Krishtit, janë thelbi i Pashkëve që përbëjnë themelin e besimit, për të na dhuruar më anë të Jezu Krishtit dhe të Hyjit që e ngjalli atë”, tha ai.
Ipeshkvi citoi fjalët e Papa Françeskut, i cili ka thënë se “Pashkët janë ngjarje që sollën risi radikale për çdo qenie njerëzore, për Historinë dhe për mbarë Botën. Është triumfi i jetës mbi vdekjen. Është një festë e gëzimit të rigjenerimit”.
Ai foli edhe për kohën e tanishme, ku ka qenë kritik ndaj shoqërisë civile, politikës, e në veçanti ka kritikuar mediat për prehjen e lajmeve të pavërteta, që po ndikojnë në largimin e të rinjve nga Kosova.
“Po në kohën që po jetojmë, jemi të detyruar të përballemi me të vërtetat e hidhura që na zhgënjejnë, ose na i shuajnë idealet e dikurshme dhe na pamundësojnë të arrijmë të dëshiruarën që e kemi dashur shumë dhe që e duam ta kemi sot. Shpeshherë zhgënjehemi nga rruga e grupeve të shoqërisë civile dhe partive politike, por edhe të bashkësive fetare, e kur shtojmë këto edhe mediat që merren përgjithësisht me të keqen dhe shpeshherë e rrisin atë, duke e përhapur lajmin e rremë ose gjysmën e së vërtetës, krijohet një përshtypje e përgjithshme, se në vendin tonë nuk ka të ardhme. Kështu është krijuar opinioni se nuk ia vlen më punuar, me sakrifikuar edhe pak dhe me dashtë këtë vend. Në këtë mënyrë, pothuajse të gjithë punojmë kundër vetes sonë, dhe bëhemi bashkëpjesëmarrës në rrënimin e së ardhmes, duke ia vrarë çdo ditë pak nga pak njëri-tjetrit shpresën”, tha Ipeshkvi Dodë Gjergji.
Gjergji bëri thirrje që nëpërmjet përvojës së Krishtit të arrijmë ta ngremë shikimin tonë përtej dëshirave të kohës dhe mëtanë të keqes sonë, të shikojmë në sakrificën tonë edhe kur ajo është e përbuzur dhe të shikojmë në dashurinë tonë, edhe kur ajo është e nëpërkëmbur, duke besuar se Zoti do ta shpërblejë mundin e tij dhe dashurinë e tij, raporton “KP”.
Dodë Gjergji kërkoi që të ndërtohet shteti të cilin e kemi dëshiruar të gjithë, duke e ndërtuar shtetin për brezin e ardhshëm, që fëmijët të jetojnë në frymën e shtetit tonë. Po ashtu, Dodë Gjergji kërkoi që ata që kanë kryer krime në të kaluarën, të mos i mohojnë ato.
“Në anën tjetër është e pa pranueshme që dikush të mohojë krimet që vet i ka bërë në të kaluarën, sikurse nuk duhet ta heshtim mundësinë e përafrimit nëpërmjet dialogut, deri sa të arrihet paqja dhe pajtimi në mes popujve. Pse jo, edhe të shihet mundësia e fillimit të një dialogu ndërmjet shqiptarëve për të ardhmen tonë”, tha Dodë Gjergji.