Dodë Gjergji: Populli shqiptar ka 900 vjet robëri, sakrificë e gjak për t’ia kushtuar Zotit
Sot në Gllogjan të Pejës u bë shugurimi i kishës së re “Shën Ndou”, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.
Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji në fjalën e tij tha se populli shqiptar ka për t’i dhënë shumë Zotit, 300 vite robëri nën Perandorinë Romake, 500 vjet robëri nën Perandorinë Otomane dhe 100 vjet robëri nën Mbretërinë jugosllave.
Në ceremoninë e shugurimit, Dodë Gjergji tha se “dëshirojmë në mënyrë solemne të shfaqim dinjitetin tonë për atë se çfarë kemi bërë dhe njëkohësisht të falënderojmë të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj kishe”.
“Por nëse tejkalojmë të qenit tonë njerëz, atëherë ne si besimtarë duhet të themi se jemi duke e kryer një akt shenjtërimi, që përputhet me fenë e atyre që besojnë dhe me Zotin që na vjen në takim. Dhe kur feja jonë te Zoti përpjekjet, atëherë krijohet një shkëndijë e fortë feje, shprese dhe dashurie”, u shpreh ai, raporton “KosovaPress”.
Ipeshkvi i Kosovës, po ashtu theksoi sakrificën e popullit shqiptar që ka bërë gjatë shekujve, nën Perandorinë Romake, atë Osmane dhe pastaj jugosllave.
“Ne kemi si popull çfarë t’i kushtojmë Zotit. Ne si popull mund t’i kushtojmë Zotit 300 vjet gjak, martirë, vuajtje, persekutime të Perandorisë Romake. Ne kemi t’i kushtojmë Zotit 500 vjet vuajtje, sakrificë, gjak, persekutim të Perandorisë Otomane. Ne kemi t’i kushtojmë Zotit 100 vjet vuajtje, sakrificë, martirizim të Mbretërisë serbe, ose kroate e sllovene, e më vonë gjithë ajo Jugosllavi. Por ne kemi edhe gabimin tonë, mëkatin tonë, kemi edhe lëshimet tona, që duhet t’ia kushtojmë Zotit. Sepse po nuk ia kushtuam Zotit gjithë sakrificën e popullit, ne nuk mund t’i kërkojmë atij ndihmë, përkrahje, mbështetje për të ardhmen tonë”, tha ai.
Dodë Gjergji tha se padrejtësia më e madhe që ka mundur të bëjë njerëzimi, ishte dërgimi i Krishtit para një gjyqi mëkataresh dhe gozhdimi i tij.
“E drejta vërtet mundet me qenë e padrejtë, por drejtësia është gjithmonë ajo që jep shpërblimin, e sjell paqen, e sjell trajtimin. Se si drejtësia është e padrejtë e ka provuar kryeministri. Po se si e drejta është më e mirë se drejtësia, e ka provuar Krishti”, ka deklaruar Don Gjergji.