Dodik fton Thaçin në samitin e SEECP-it
Së bashku me Serbinë, Bosnjë Hercegovina është një prej dy shteteve në Ballkanin Perëndimor që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe kjo për shkak të kundërshtisë që vjen nga komuniteti serb.
Por mediat në Kosovë, duke iu referuar portalit boshnjak ‘Klix’, raportojnë se presidenti i Bosnjës, radikali serb Milorad Dodik i ka dërguar ftesë zyrtare presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Në samitin që do të zhvillohet më 1 korrik në Jahorinë, janë ftuar të gjithë presidentët e rajonit, si dhe ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve.
Sipas të njëjtit portal, presidentët e rajonit do të priten përpara ndërtesës së Presidencës së Bonjsë Hercegovinës. Por ajo që nuk sqarohet është fakti nëse presidenti Thaçi do të pritet me të njëjtin protokoll si homologët e tjerë, duke qenë se Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Milorad Dodik ka qenë më i ashpër në deklarata kundër Kosovës se edhe vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Disa javë më parë, ishte Thaçi që anuloi një vizitë në Bosnjë, në kuadër të konferencës së BERZH-it, duke qenë se Kosova ishte parashikuar të mos prezantohej me simbolet e saj shtetërore.
Thaçi kundërshtoi një muaj më parë edhe praninë e Dodik në Tiranë, në kuadër të samitit të Brdo-Brijunit.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga Presidenca Kosovës për të konfirmuar ose jo ftesën e Milorad Dodikut.