Dodik nuk tërhiqet nga qëndrimet edhe pas takimit me Escobarin
Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik tha se tashmë është e qartë se nuk ka asnjë bazë reale për konflikt në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Është e qartë, në asnjë moment unë dhe askush nuk e ka përmendur luftën si mundësi. Ne jemi dakord që stabiliteti dhe paqja duhet të ruhen”, tha Dodik pas takimit në sarajevë më 8 nëntor me Zëvendësndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Dodik tha se zyrtarit amerikan i duken zhgënjyese lëvizjet e Republika Sërpskës, por se pavarësisht kësaj, “Republika Sërpska do të vazhdojë të transferojë kompetencat nga niveli shtetëror”.
Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjës, së fundmi ka kërcënuar me largim të Republikës Sërpska nga institucionet kombëtare, siç është autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe nga ushtria.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në prag të vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Escobar ka thënë se do të fliste me ambasadorin e SHBA-së në Sarajevë, para se të shpallte sanksionet e mundshme për cenim të marrëveshjes së Dejtonit, pa specifikuar se cilat sanksione mund të ishin një fjalë.
“Unë tashmë jam subjekt i sanksioneve amerikane. Ne nuk folëm për sanksione”, theksoi Dodik.
Dodik tha se e ka informuar zyrtarin amerikan për “qëllimet tona për veprime kushtetuese dhe se ato nuk kishim qëllim të cenonim integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës”.
“Nuk kisha nevojë të arsyetohesha. Ne kemi thënë se po përgatisnim dokumente për gjërat themelore. Do të tërhiqnim pëlqimin tonë për Forcat e Armatosura të Bosnjës, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial dhe Autoritetin e Taksave në gjashtë muajt e ardhshëm. Republika Sërpska do të vazhdojë të kujdeset për veten, kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha Dodik./rel/