Dodiku: Planin franko-gjerman, serbët duhet ta pranojnë ose ta refuzojnë së bashku
Presidenti i Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë se vendimi për marrëveshjen franko-gjermane mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të merret bashkërisht nga qeveria dhe opozita në Serbi, por edhe nga shoqëria serbe në tërësi.
“Nëse plani franko-gjerman refuzohet, atëherë ai duhet të refuzohet nga qeveria dhe opozita, si dhe nga shoqëria në tërësi. Gjithashtu, nëse e pranojmë, atëherë duhet ta bëjmë të gjithë”, ka shkruar Dodiku në “Instagram”.
Ai ka thënë se “serbët, kudo që jetojnë, duhet të bashkohen dhe të jenë të bashkuar rreth negociatave”.
Sipas tij, duhet të merren parasysh pasojat e mundshme që kanë të bëjnë me zgjidhjen, të cilat, siç tha ai, mund të ndryshojnë qëndrimin e përgjithshëm të serbëve, raporton “Danas”.
“Nëse refuzojmë, do të refuzojmë së bashku, nëse pranojmë, duhet të pranojmë së bashku. Dhe kjo është e rëndësishme vetëm që Serbia dhe serbët të mos ndahen përsëri”, ka shkruar Dodiku.