Dodiku provokon: Le të kthehen myslimanët në fenë ortodokse, Bosnja do të jetë sërish serbe

30 prill 2025 | 08:45

Presidenti i entitetit Republika Srpska dhe i dënuar në shkallën e parë nga drejtësia e Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka vazhduar me provokime të rënda publike dhe retorikë të hapur shoviniste.

Pas deklaratës skandaloze të një dite më parë, ku u shpreh se “myslimanët duhet të kthehen në fenë ortodokse”, Dodik ka publikuar sot në rrjetin social X një pjesë nga filmi “Thika”, i realizuar sipas romanit të Vuk Drashkoviqit – vepër e njohur për narrativën nacionaliste serbe, shkruanKlix.ba

Postimi i Dodikut u shoqërua me fjalët:

“Kush nuk e njeh historinë – është i dënuar ta shtrembërojë, dhe kjo është bërë specialitet i politikës së Sarajevës. Por nëse doni të luani me historinë, atëherë përgatituni të shikoni në sy faktet e saj. Pyetja është: a do t’ju pëlqejë ajo që do të shihni kur ta kuptoni se çfarë emri keni mbajtur përpara se ta ndërronit.”

Filmi “Thika” dhe vetë postimi i Dodikut përçojnë një narrativë historikisht të rrejshme dhe ideologjikisht të rrezikshme, duke sugjeruar se të gjithë boshnjakët janë në të vërtetë “serbë të konvertuar me dhunë në islam gjatë Perandorisë Osmane”. Kjo ide mohon identitetin kombëtar dhe kulturor të boshnjakëve dhe përputhet me doktrinën e ideologjisë së “Serbisë së Madhe”, e cila synon asimilimin dhe dominimin.

Filmi, i cili përshkruan historinë e një djali të lindur si ortodoks e më pas “konvertuar” në mysliman, shërben si vegël propagandistike që përforcon stereotipe anti-myslimane dhe krijon një realitet të shtrembëruar për raportet historike midis boshnjakëve dhe serbëve. Ai përshkon një vijë ideologjike që u përdor gjerësisht gjatë viteve ’90 për të justifikuar krimet dhe agresionin ndaj popullatës boshnjake.

Deklaratat e Dodikut kanë shkaktuar reagime të forta dhe dënime nga opinioni publik, teksa shumë analistë paralajmërojnë se kjo retorikë përbën rrezik real për paqen dhe bashkëjetesën në Bosnje dhe Hercegovinë.

Më e rënda nga deklaratat e tij ishte thirrja drejtpërdrejt ndaj boshnjakëve që “të kthehen në fenë ortodokse”, duke e paraqitur këtë si zgjidhjen e vetme për stabilitetin e vendit:

“Zgjidhja për Bosnjën është kjo: që myslimanët të kthehen në fenë e tyre të vjetër ortodokse. Ka dëshmi që paraardhësit tanë kanë kaluar në islam nën presionin osman. Prandaj, për mua kjo është një zgjidhje korrekte,” tha Dodik.

Ai madje shkoi më tej duke deklaruar se Bosnja është duke u shpërbërë dhe se “gjurmët e saj kundërmojnë jo-njerëzillëk”.

Këto deklarata vijnë në një kohë të tensionuar politike në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa përpjekjet për zbatimin e reformave dhe bashkëpunimin ndërentik po sfidohen nga nacionalizmi i hapur dhe retorika përçarëse nga zyrtarë të lartë si Dodik.

Analistët paralajmërojnë se tolerimi i kësaj gjuhe të urrejtjes nga bashkësia ndërkombëtare mund të nxisë radikalizim dhe të rrezikojë stabilitetin rajonal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta mbajë sot një mbledhje…