Dodiku: Republika Srpska duhet të iniciojë shpërbërjen
Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë të premten se përfaqësuesi special i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko, nuk ka të drejtë të imponojë ndonjë ligj për ndalimin e mohimit të gjenocidit.
Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, që i japin të drejtë të çojë përpara vendime, ka vendosur ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.
“Republika Srpska e hedh poshtë këtë vendim. Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid. Serbët nuk guxojnë ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë e ngulur në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnje e Hercegovina nuk mund të funksionojë. Do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Srpska-s javën e ardhshme”.
“Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje”, ka thënë Dodiku, shkruan “Rel”.
Në vitin 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.