
Dodiku u përpoq të ulet afër Netanyahut, organizatorët e dëbojnë nga konferenca
Presidenti i entitetit të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Serbe, Milorad Dodik, u gjend në një situatë të pakëndshme në Jerusalemin perëndimor.
Ai u përpoq të ulej pranë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një konference mbi antisemitizmin që po mbahet në Jerusalem.
Siç shihet në një video, organizatorët e konferencës e larguan atë nga ai vend pak çaste më vonë.
Ndërkohë, Dodik u detyrua të largohej nga konferenca pasi u publikua informacioni mbi lëshimin e një fletarrestimi ndërkombëtar ndaj tij për shkak të refuzimit për t’iu përgjigjur thirrjeve të Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës në rastin “grushti i shtetit”, raportoi gazeta izraelite Israel Hayom.
Ai mori pjesë në konferencë me organizimin e ministrit izraelit për diasporën dhe antisemitizmin, Amichai Chikli, kur u publikua informacioni mbi urdhrin e Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës për lëshimin e fletarrestimit ndërkombëtar.
“Zyrtarët izraelitë e informuan Dodikun se ai nuk ishte i mirëpritur, duke i kërkuar atij të largohej nga ambientet së bashku me eskortën e tij”, raportoi Israel Hayom, gjë që u konfirmua edhe nga vetë Dodik në një intervistë për gazetën Jerusalem Post.
Gjykata shtetërore e Bosnjës njoftoi gjithashtu se një urdhër-arresti ndërkombëtar ishte lëshuar për Nenad Stevandiq, kryetar i parlamentit të Republikës Serbe, i cili kishte udhëtuar në Serbi, por që atëherë është kthyer në Bosnje.
Urdhëresat i janë përcjellë Interpolit, thuhet në deklaratën e gjykatës me Dodik që i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht.
Kriza aktuale konsiderohet më e rënda që nga lufta e viteve 1990 dhe kërcënon Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 që i dha fund Luftës së Bosnjës.