
Dogana e Kosovës inkasoi 736.4 milionë euro
Gjatë periudhës raportuese janar-gusht të hyrat e përgjithshme të inkasuar nga Dogana e Kosovës kanë arritur vlerën prej rreth 736.4 milionë euro, gjë që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017 paraqet një rritje prej rreth 18 milionë euro apo 2.5 për qind me shume se periudha e njëjtë e vitit paraprak.
“Për më tepër, ndikimi në të hyrat nga pakot fiskale që i referohen lirimit në import të taksave për prodhues përgjatë periudhës raportuese është rreth 49.9 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 173 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa sa i përket lirimeve sipas MSA-së, duhet theksuar se ndikimi negativ në të hyra nga MSA-ja përgjatë kësaj periudhe është rreth 28.9 milion euro apo rreth 44.52 për qind më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar”, është thënë në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, ndikim në të hyra ka pasur edhe kufizimi i importit të automjeteve të përdoruara deri në dhjetë vite, ku në këtë kategori tek importi i veturave vërehet një rënie e theksuar e të hyrave krahasuar me vitin e kaluar.
“Kemi 8 361 vetura më pak, dhe kjo ka ndikuar që të shënohet një rënie në të hyra tek kategoria e veturave rreth 12 milionë euro më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Përkundër politikave fiskale që favorizojnë lirime dhe ulje taksash në kategori të caktuara, si stimulim i zhvillimit ekonomik, si dhe ato që burojnë nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, që këtë vit po kanë ndikim më shumë në të hyrat e planifikuara, përsëri Dogana e Kosovës është duke vazhduar me performancë shumë të mire në grumbullimin e të hyrave, luftimin e ekonomisë joformale, kontrabandës dhe fusha tjera që Dogana ka përgjegjësi, mirëpo gjithashtu ne vlerësojmë se këto efekte të politikave fiskale dhe MSA-së do të kenë efektin e vet pozitiv shumë më të madh për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjes së prodhimeve vendore”, është theksuar në njoftimin e Doganës.
/Epoka e re/