Dogana e Kosovës nis punën në portin e Durrësit
Sot mbahet ceremonia zyrtare e fillimit të punës së Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.
Kjo gjë pritet të lehtësojë tregtinë, lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe të pasagjerëve. Po ashtu, ky port pritet të reduktojë edhe kostot e bizneseve, si dhe do të ndihmojë që të rritet ekonomia e të dyja shteteve.
Mirëpo, deri te realizimi i këtij bashkëpunimi ka një histori të gjatë premtimesh e pritjesh. Autoritetet shqiptare i premtuan Kosovës portin e Durrësit, pas premtimit të ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha se porti i Shëngjinit do t’i jepej Kosovës.
Premtimi i Berishës ishte dhënë në vitin 2009, kurse asnjëherë nuk u realizua. Disa vite pas kësaj historie, në vitin 2016, Shqipëria premtoi edhe një tjetër port për Kosovën-atë të Durrësit. Kësaj radhe premtimi u bë në Qeverinë e drejtuar nga Edi Rama.
Në një tryezë të organizuar asokohe në Prishtinë, ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se importuesit kosovarë dhe Kosova mund ta shfrytëzojnë portin e Durrësit dhe se ky port do të funksionojë si ndalesa e fundit për bizneset kosovare.
“Kryesorja është ideja që porti i Durrësit të jetë me procedura unike për sipërmarrësit kosovarë, e thënë më thjeshtë në kuadrin e fasilitimit të tregtisë ky port të funksionojë si ndalesa e fundit për importuesit kosovarë”, ishte shprehur ministri Ahmetaj në takimin përgatitor për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.