Dogana e Kosovës, partner i madh i komunitetit biznesor
Sektori privat në Kosovë vazhdimisht është ballafaquar me vështirësi në zhvillimin e bizneseve si nga aspekti doganor ashtu edhe në zhvillimin e mundësive për t’u qasur në tregun ndërkombëtar, mirëpo falë bashkëpunimit të vazhdueshëm mes bizneseve dhe Doganës së Kosovës, barrierat jotarifore, vështirësitë në tregun ndërkombëtar dhe problemet e tjera në ambientin biznesor kanë arritur në një nivel mjaft të ulët.
Ky ishte konkluzioni kryesor nga tryeza e radhës e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e titulluar “Tregtia: Sfidat e sektorit privat”.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane, ka përmendur partneritetin e vazhdueshëm mes Doganës dhe Odës i cili ka dëshmuar të jetë i dobishëm për komunitetin biznesor në shumë aspekte.
Ai ka shtuar se ndër institucionet që kanë punuar në lehtësimin e të bërit biznes, Dogana e po ashtu edhe Administrata Tatimore e Kosovës mbeten partnerët të cilët në vazhdimësi kanë ndihmuar në këtë aspekt.
Ndërsa Avni Krasniqi, kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave të Odës Amerikane, ka thënë se problemet e shumta që në të kaluarën bizneset kanë hasur tashmë janë minimizuar përmes këtij bashkëpunimi duke përmendur mes të tjerash se roli i Doganës mbetet kyç në zhvillimin e bizneseve.
Bahri Berisha, drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, ka thënë se gjatë këtij viti kanë ndërmarrë masa dhe procedura të shumta në lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë dhe janë ende duke punuar në eliminimin e barrierave jotarifore.
Ai ka shtuar se është duke u implementuar heqja e akcizës në produkte të caktuara e cila është duke i ndihmuar mjaft bizneset, duke shtuar edhe faktin e rënies së ankesave nga ana e komunitetit biznesor në raport me Doganën çka tregon se partneriteti mes tyre vazhdon të mbetet në nivel.
Mes të tjerash ai po ashtu ka përmendur edhe digjitalizimin e procedurave të shumta doganore gjë që ka ndihmuar në zvogëlimin e rasteve të korrupsionit.
Ai ka ftuar bizneset prezente të paraqesin kërkesat e tyre tek Dogana ku një gjë e tillë do të lehtësonte edhe zhvillimin e bizneseve të tyre në njërën anë dhe përmbushjen e detyrës së Doganës nga ana tjetër.
Më tej pjesëmarrësit patën rastin të parashtrojnë pyetjet e tyre dhe vështirësitë që hasin në procedurat doganore, duke shtuar se do të vazhdojnë partneritetin me Doganën në të ardhmen.
/Epoka e re/