Dogana e Kosovës për gjashtë muaj mblodhi 504.3 milionë euro
Gjatë periudhës gjashtëmujore (janar – qershor 2018) të hyrat e përgjithshme të inkasuar nga Dogana e Kosovës në total arritën vlerën prej rreth 504.3 milionë euro, gjë që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017 paraqet një rritje prej 3.5% apo rreth 17 milionë euro më shumë.
Sipas një njoftimi të Doganës, ndikim në të hyrat në import për ketë periudhë ka pasur efekti i MSA-së dhe pakove fiskale që i referohen prodhuesve.
“Duhet theksuar se ndikimi në të hyra nga MSA-ja përgjatë kësaj periudhe është rreth 21 milionë euro apo rreth 46.3% më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ndërsa ndikimi në të hyra doganore nga pako fiskale që i referohen lirimit nga taksat në import për prodhuesit përgjatë periudhës raportuese është rreth 29.6 milionë euro. Gjithashtu edhe ndikimi në të hyra nga importi i veturave të përdorura ku vërehet një rënie e theksuar krahasuar me vitin e kaluar, kemi 5,335 copë vetura më pak, dhe kjo ka ndikuar që të shënohet një rënie në të hyra prej 8.6 milionë euro më pak. Totali i ndikimeve negative në të hyra nga këto kategori për ketë periudhë është afër 60 milionë euro apo shprehur në përqindje rreth 12% të totalit të hyrave të grumbulluar nga Dogana e Kosovës për këtë gjashtëmujor”, është thënë në njoftimin e Doganës së Kosovës.
/Epoka e re/