Dogana e Kosovës për tre muaj inkason  mbi 229 milionë euro

05 prill 2019 | 17:36

Dogana e Kosovës ka vazhduar të tregojë performancë shumë të mirë në të hyra e grumbulluar për tremujorin e parë të vitit 2019.

Gjatë kësaj periudhe, të hyrat e përgjithshme të inkasuar nga Dogana e Kosovës  kapinë vlerën prej rreth 229.9 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018 paraqet një rritje prej 10.3 për qind apo rreth 21.5 milionë  euro më shumë.

“Në anën tjetër, ndikim në të hyra ka pasur MSA-ja dhe lirimet nga taksat në import për prodhuesit kosovarë për lëndën e parë dhe të  gjitha inputet që përdoren në procesin e prodhimit. Sa i përket MSA-së, duhet theksuar se ndikimi në të hyra nga MSA-ja përgjatë kësaj periudhe është rreth 12.9 milionë euro apo rreth 46.6 për qind më shumë së periudha e njëjtë e vitit paraprak, ndërsa ndikimi në të hyra nga pako fiskale që i referohen prodhuesve përgjatë periudhës raportuese është rreth 17.2 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 59 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, shikuar nga struktura e të hyrave kufitare, kontributin më të madh pozitiv në rritjen e të hyrave nga importi e kanë dhënë të hyrat e arkëtuara nga TVSh-ja,  të cilat kanë shënuar rritje prej rreth 6.47 për qind apo rreth 7.2 milionë euro më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

“Në anën tjetër, të hyrat nga taksa doganore kanë shënuar rritje prej rreth 8 për qind apo shprehur në vlerë nominale rreth 2 milionë euro më shumë. Ngjashëm me taksën doganore, edhe të hyrat nga taksa e akcizës kanë shënuar rritje prej 11.6 për qind, apo shprehur në vlerë nominale rreth 9 milionë euro  më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.  Të hyrat nga TVSh-ja në kufi gjatë kësaj periudhe marrim pjesë me rreth 51 për qind, pasuar nga të hyrat e arkëtuara prej akcizës me rreth 37.5 për qind dhe të hyrat nga taksa doganore me rreth 11.5  për qind”, është thënë në njoftimin për medie të Doganës.

Sa i përket eksportit, Dogana e Kosovës,  ka bërë me dije se përgjatë periudhës raportuese ka shënuar ngritje në sasi prej rreth 6.6 për qind,  derisa edhe vlera e eksportit ka shënuar ngritje me rreth 12.46 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të  kaluar.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të rëndë…