Dogana e Kosovës: Raporti i KE-së thekson progres në fusha të rëndësishme
Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian ka pasqyruar përparime të shumta në fusha të rëndësishme për Doganën e Kosovës.
Sipas Doganës së Kosovës përtej sfidave të identifikuara ndër vite, raporti i fundit i Komisionit Evropian nuk ka identifikuar ndonjë sfidë të re. Përkundrazi, raporti ka gjetur progres të theksuar në fusha shumë të rëndësishme.
Raporti thekson se Dogana e Kosovës gjatë periudhës raportuese së bashku me agjencionet e tjera të zbatimit të ligjit ka bërë përparim në luftimin e llojeve të ndryshme të kontrabandës, përfshirë këtu edhe parandalimin, shtypjen dhe ndjekjen e kontrabandës së narkotikëve, sikurse që është theksuar se ka rritje domethënëse në aktivitete të orientuara drejt luftimit të ekonomisë jo formale dhe evazionit fiskal, duke konkluduar se Dogana e Kosovës dhe agjencinë e tjera të zbatimit të ligjit bashkëpunojnë mirë për të luftuar informalitetin dhe mashtrimet doganore.
Ndërkaq bazuar në aktivitetin e Doganës së Kosovës është arritur që të shkarkohen 10 zyrtarë dhe të suspendohen 12 zyrtarë tjerë.
“Raporti ka theksuar si gjetje pozitive edhe nënshkrimin e marrëveshjes për programin ‘Doganat’, i cili mbështet bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve doganore në BE, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët në transportin në hekurudha me Doganën e Maqedonisë së Veriut. Edhe në fushën e lehtësirave raporti thekson si të rëndësishëm progresin për miratimin e pestë të operatorit ekonomik të Autorizuar”.
“Në lidhje me sfidat e adresuara ndër vite për pagesat për përdorimin e terminaleve, raporti ka adresuar progresin e bërë me hapjen e terminalit të parë publik, ndërsa që progresi i më vonshëm nuk është raportuar ende në raport dhe do të pasqyrohet në raportet e ardhshme” thuhet në një kumtesë nga Dogana.
Ngjashëm raporti pasqyron progresin në fushën e zbatimit të masave doganore për mbrojtjen e të drejtave të Pronësisë Intelektuale, duke njohur progresin e bërë në fushën e inspektimeve kundër piraterisë dhe falsifikimit në krahasim me vitin 2020 ku ka pasur dukshëm më pak inspektime, kjo edhe për shkak të pandemisë. Raporti gjithashtu e cekë se legjislacioni për masat e DPI dhe kontrollet e eksportit për mallrat kulturore është në përputhje me acqui të BE-së.
Sipas Doganës ky vlerësim është i rëndësishëm pasi që konfirmon rezultatet dhe qasjen strategjike, ndërsa që Dogana mbetet e përkushtuar për të adresuar të gjitha sfidat e procesit integrues, por duke pasur referencë kryesore efikasitetin në misionin dhe përgjegjësinë që ka Dogana kundrejt qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.