Dogana e Kosovës tregon sa janë humbjet e Serbisë për shkak të taksës
Pesë muaj kanë kaluar që kur Qeveria e Kosovës e mori vendimin për vendosjen e taksës 100 % ndaj produkteve serbe. Sipas statistikave nga Dogana e Kosovës, për këta 5 muaj Serbia ka humbur afro 175 milionë euro, për shkak të taksës. Ndërkaq ka prej prodhuesve vendorë që kanë shtuar numrin e punëtorëve, pas taksës.
Në pesë muaj, sa ka kaluar prej që është vendosur taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, shteti ynë fqinj ka humbur rreth 175 milionë euro, krahasuar me importin që ky shtet ka bërë.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili tha se krahasuar me tre muajt e parë të vitit të kaluar, Serbia kishte fituar nga vendi ynë rreth 100 milionë euro.
“Nëse marrim një krahasim mes periudhave të njëjta tremujore në vitet 2018 dhe 2019, vërejmë se në tre muajt e parë të vitit 2018 kemi pasur mbi 100 milionë euro importe, derisa këtë vit nuk kemi as një milion euro importe të produkteve”, tha Stavileci, për “RTV Dukagjinin”.
Sipas Stavilecit, Kosova ka rritur eksportin në vendet e tjera gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë edhe Serbinë, përcjell Telegrafi. “Përgjatë këtij fillim viti kemi pasur një rritje të eksporteve të produkteve kosovare. Nëse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi pasur 96 milion kilogram produkte të eksportuara, tani kemi 108 milion kilogram produkte kosovare të eksportuara në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Serbinë”, ka shtuar Stavileci.