Dogana e Maqedonisë së Veriut parandalon kontrabandë të 4.4 ton mish gjahu
Ekipi i lëvizshëm i Departamentit të Kontrollit dhe Hetimeve ka parandaluar kontrabandën e 4.4 tonëve mish gjahu të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve, të cilin një shofer kamioni në pronësi të një kompanie greke dëshironte ta fuste në Maqedoninë e Veriut
Dogana e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se mishi i gjahut në vlerë prej 4 milionë denarësh nuk është deklaruar në deklaratën doganore, as transportuesi nuk ka pasur certifikatë përkatëse për të dhe leje nga institucioni përkatës kompetent, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Në deklaratën doganore, malli është deklaruar si “paleta plastike dhe rafte metalike të lëvizshme” me vlerë 3 750 euro ose vetëm 5.6 për qind të vlerës totale të mallit.
Në terminalin e kalimit kufitar Tabanovc, inspektorët kanë kryer kontroll me skaner nga i cili ka rezultuar se në kamion, përveç mallit të deklaruar, ka pasur edhe mallra të tjera që nuk janë të përfshira në deklaratën doganore. Pas hapjes së mjetit, në 29 paleta plastike është gjetur mish i ngrirë nga gjahu i ndryshëm, lepuj, fazanë, thëllëza, për të cilat nuk dispononte asnjë dokument.
Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurisë së shoqërisë është një nga prioritetet kryesore të Drejtorisë doganore, shton ky institucion. /Alsat-M