Dogana fillon aplikimin e masave mbrojtëse për qumështin e importuar nga Bosnja

18 korrik 2018 | 14:57

 

Dogana e Kosovës  (DK), ka filluar aplikimin e vendimin për masa mbrojtëse për qumështin e importuar nga Bosnja e Hercegovina. Aplikimi i vendimit nga Dogana ka ndodhur pasi një vendim për masa mbrojtëse është marr martën edhe në mbledhjen Qeverisë së Kosovës.

Aplikimin e vendimit për masa mbrojtëse për qumështin e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci. “Pas marrjes së vendimit edhe nga Qeveria e Kosovës, për masa mbrojtëse për qumështin e importuar nga Bosnja e Hercegovina, Dogana e Kosovës, ka filluar aplikimin e tij, që nga e mërkura”, ka konfirmuar Stavileci.

Sipas statistikave, Kosova brenda një vitit importon rreth 9 milionë litra qumësht nga Bosnja e Hercegovina në vlerë rreth 6 milionë euro. Vetëm në gashtë mujorin e parë të këtij viti, nga Bosnja e Hercegovina janë importuar 4 milionë e 400 mijë litra qumësht në vlerë prej 2 milionë e 500 mijë euro.

Zyra e Kryeministrit, ka njoftuar se vendimi për masa mbrojtëse për qumështin, do të filloi të aplikohet menjëherë. “Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për zbatimin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për masa të përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve dhe perimeve vendore dhe për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina. Vendimet do të fillojnë së aplikuari nga dita e miratimit të tyre nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për media.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, ka thënë se me marrjen e vendimit nga Qeveria e Kosovës, do të mbrohen prodhuesit e vendit. “Prodhuesit e qumështit dhe kultivuesit e pemëve dhe perimeve më nuk do të shqetësohen nga konkurrenca e padrejtë që u bëhet nga importi. Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u dha drita jeshile që dy vendimet për masat mbrojtëse për qumështin që importohet nga Bosnja dhe Hercegovina dhe për pemët dhe perimet që hyjnë në Kosovë, nga e mërkura të zbatohen nga Dogana e Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Ai ka siguruar prodhuesit vendor, se do t’i mbrojmë në çdo rast këta prodhues sipas ligjit. “Të dashur qytetarë ndihmojeni edhe ju Kosovën, ndihmoni prodhuesit vendor. Sepse duke u dhënë përparësi prodhimeve tona ne ndihmojmë zhvillimin e ekonomisë së Kosovës”, ka thënë ministri i MTI-së, Bajram Hasani.

Ndërkaq qumështarë dhe drejtues të shoqatave të qumështarëve kanë thënë se industria e qumështit vendorë është duke u rrezikuar nga qumështi i importuar pasi që shpesh sipas tyre është shitur nën koston e tregut.

Kurse, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kishte njoftuar më 16 prill, se vendimi për masa mbrojtëse për qumështin është bazuar në kompetencat ligjore në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1, të nenit 2, të Ligjit nr. 041/L-047, si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-s.

“Vendimi ka ardhur pas një hetimi që është konstatuar se importi nga Bosnja dhe Hercegovina është rritur mbi masën 20 për qind dhe ka ndikuar në dëmtimin e produkteve vendore për faktin se importi i produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është me çmim të ulët i cili është nën koston e prodhimeve vendore të qumështit”, kishte njoftuar MTI.

 

 

Siç parashihet në nenin 8 të Ligjit për Masat Mbrojtëse në Importe, ka bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se rritja e importit, si dhe kushtet në të cilat kryhet ky import, kërcënon që t’u shkaktojë, sipas MTI-së dëme serioze prodhuesve vendorë të produkteve të ngjashme.

Masat mbrojtëse sipas vendimit të MTI-së prekin mijëra prodhues dhe përpunues të qumështit që operojnë në tregun e Kosovës. “Kjo masë mbrojtëse afekton rreth 3 mijë bujq fermerë që kanë ferma me nga 5 e deri 250 lopë dhe mbi 30 përpunues të qumështit”, theksonte njoftimi i MTI-së. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka bërë largimin e disa tarracave pa…