Dogana inkasoi 23 milionë euro më pak në tremujorin e parë të vitit 2020
Dogana e Kosovës deri në mars të 2019-s arriti t’i mbledhë 295 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2020 Dogana inkasoi 23 milionë euro më pak. E shkak për këtë po del të jetë pandemia COVID-19.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kjo rënie është momentale, duke thënë se me normalizimin e situatës edhe ekonomia do të funksionojë. “Të hyrat jo vetëm në aspektin për shkak të ndikimit të pandemisë që normalisht është njëri prej faktorëve, por për shkak edhe të uljes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, ka ndikuar direkt në ulje të hyrave. Dua t’ju them se nëse vitin e kaluar kemi pas të hyra 319 milionë euro, sot kemi 295 milionë, pra ka ulje rreth 20 milionë më pak. Në përqindje, ajo është 5-7 për qind.
Pra, kjo rënie duhet të jetë vetëm momentale për shkak se presim që me normalizimin e situatës edhe ekonomia të funksionojë. Dhe kur funksionon ekonomia, ne besojmë se do të rikthehemi në parametrat normalë të të hyrave. Besoj se një apo dy muaj mund të rikthehemi dhe ta tejkalojmë vitin e kaluar në aspektin e mbledhjes së të hyrave. Por kjo mbetet të shihet pasi që ky është vetëm parashikim. Ulje nga pandemia patën edhe porositë online”, thotë ai.
Në dy javët e para, sipas Stavilecit, pandemia ndikoi me ulje prej 30 përqindësh, ndërsa gjatë vazhdimit të pandemisë kjo ulje shkoi deri në 50 për qind numri i porosive.
“Te porositë online, përveç që ka një ulje të porosive për shkak të pandemisë që filloi në Kinë, kjo automatikisht reflektoi në uljen e porosive. Në dy javët e para reflektoi me ulje prej 30 përqindësh, ndërsa gjatë vazhdimit të pandemisë u rrit deri në 50 për qind numri i porosive. Jo vetëm në Kosovë që porositë online po vonohen për shkak se po punohet me orare të shkurtuara dhe me më pak njerëz dhe për këtë arsye vijmë deri te vonesat e ndryshme”, thotë ai.
Stavileci ka thënë se të gjithë ata që e kompletojnë të gjitha dokumentacionin mund t’i tërheqin blerjet e tyre online.