Dogana ka konfiskuar mallra në vlerë 10 mijë euro
Dogana e Kosovës në kuadër të aktiviteteve kundër kontrabandës dhe dukurive tjera të paligjshme, gjatë dy muajve të parë të vitit ka ndërmarrë aksione dhe kontrolle të shtuara në kontrollin e mallrave, të cilat potencialisht kanë tendencë për kontrabandë.
Sipas një komunikate për medie të Doganës së Kosovës, gjatë muajve janar dhe shkurt janë ndërmarrë veprime të shtuara sidomos për kontrollin e mallrave strategjike, duhanit dhe produkteve të tij.
“Gjatë këtyre dy muajve krahas aktiviteteve tjera janë kontrolluar 60 lokacione, duke përfshirë tregjet e qyteteve, pika tjera shitëse siç janë ato ambulantive dhe tjera. Si rezultat i kësaj në 20 raste të ndryshme kemi hasur produkte të kontrabanduara (cigare dhe duhan pa banderola) dhe kemi iniciuar kundërvajtje për këto produkte: Cigare filtër, duhan te grire, aroma për duhan nargjile si dhe filtër për cigare. Gjatë këtyre rasteve janë konfiskuar 186 kilogramë duhan refuz, 163,733 cope cigare rreth 50 litra nargjile dhe vlera e mallit të konfiskuar afër 10.000 euro. Dogana do të vazhdojë me kontrolle ashtu që të mos rrezikohen asnjë prej taksave të qytetarëve të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Doganës së Kosovës.