Dogana ka testuar derivate të naftës për të cilët s’ka qenë e akredituar
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka prezantuar raportin e auditimit të performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”.
Në këtë raport thuhet se laboratori i Doganës ka testuar parametra që kanë të bëjnë me derivate të naftës për të cilët nuk ka qenë i akredituar dhe nga muaji prill i vitit 2019 ka kryer testime pa akreditim.
Shkurta Stublla anëtare e ekipit, ka deklaruar se Dogana nuk i ka të përcaktuara të drejtat e qasjes në sistem elektronik dhe nuk ka kryer riakreditimin. “Laboratori i Doganës ka testuar parametra për të cilët nuk ka qenë i akredituar dhe nga muaji prill i vitit 2019 ka kryer testime pa akreditim. Një pjesë e derivateve të naftës është liruar pa pasur raport të bashkangjitur në sistem. Deri më tani Dogana nuk e ka kryer riakreditimin. Të procesi i akreditimit kemi parë që nuk ka pasur trupa inspektues dhe të laboratorëve. Pikat e shitjes së derivateve nuk janë me program në bazë të analizës së riskut”, është shprehur Stublla.
Kurse, Drilon Shala, udhëheqës i ekipit ka përmendur disa të gjetura të tjera të raportit. “Ka pasur mungesë të trupave inspektuese në marrjen e mostrave dhe mungesë të informatave. Trupa inspektuese ka përdorur aplikim të standardit të dyfishtë dhe kjo nuk ka ofruar siguri. Pasojat e mungesës së monitorimit nuk janë të vogla, sepse trupat inspektuese nuk kanë pasur autorizim”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, Vlora Spanca, ndihmëse e Auditorit të Përgjithshëm ka thënë se objektiv ka qenë monitorimi i cilësisë së ajrit.
“ZKA-ja përveç autiditimit të rregullsisë kryen edhe auditime të performancës që synon që institucionet publike të ofrojnë shërbime të mira për qytetarët. ZKA-ja mbetet e përkushtuar që të kryejë auditime që janë në interes për qytetarët. Cilësia e derivateve ka rëndësi për një ambient të pastër. ZKA-ja është motivuar ta kryej këtë auditim. Objektiv ka qenë monitorimi i cilësisë së derivateve para se atyre t’u bëhet tregu i brendshëm. Kontrolli i këtyre produkteve është përcjell me mangësi. ZKA-ja ka angazhuar edhe ekspertin e fushës për ta kryer këtë auditim. Pa bashkëpunimin e Doganës dhe Ministrisë së Tregtisë ky auditim nuk do të ishte i mundur”, ka thënë Spanca.