Dogana mblodhi mbi 500 milionë euro të hyra për buxhetin e Kosovës
Dogana e Kosovës për herë të parë që nga themelimi në këtë periudhë të vitit ka tejkaluar shumën e mbledhur prej 500 milionë eurosh të hyra për buxhetin e Republikës së Kosovës.
Në një njoftim për media thuhet se në krahasim me vitin e kaluar, Dogana ka mbledhur 27,6 për qind më shumë apo shprehur në terma financiarë, shumë prej 108,5 milionë më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit paraprak.
Ky trend krahasues ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë muajit maj dhe tregon tendencë të rritjes edhe ditëve vijuese.
Drejtori i përgjithshëm, Agron Llugaliu, ka theksuar se grumbullimi i të hyrave të larta vjen si rezultat i performancës së përmirësuar të ekonomisë si dhe nga veprimet e theksuara për ta adresuar ekonominë joformale, të shfaqur në forma të ndryshme, siç është kontrabanda, nënvlerësimit dhe format e tjera të mashtrimeve, e cila, përveç përmirësimit të të hyrave, gjithashtu do të mundësojë një klimë të favorshme për zhvillimin e biznesit dhe prodhimit vendor.