Dogana konfiskon 450.000 copë cigare
Dogana e Kosovës në dy raste të ndara ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të cigareve të kontrabanduara.
“Në pikëkalimin kufitar të Hanit të Elezit njësitë e Doganës së bashku me Policinë e Kosovës gjatë një operacioni të përbashkët kanë gjetur sasi të konsiderueshme të cigareve të fshehura në kabinën e shoferit të një maune dhe në sirtarë të jashtëm të rimorkios një sasi e duhanit. Pastaj kamioni është dërguar për kontroll detal ku në tërësi janë gjetur 50,000 copë cigare”, është bërë me dije në njoftimin e Doganës.
Njësitet e anti-kontrabandës kanë ndërmarrë edhe një operacion për cigare dhe produkte të duhanit në qytetin e Podujevës.
“Në këtë aksion kanë marrë pjesë një numër i madh i zyrtarëve doganor ku janë kontrolluar 10 lokale dhe janë konfiskuar 11 400 copë cigare të llojeve të ndryshme pa banderolë. Gjatë kësaj periudhe raportuese Dogana ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të cigareve rreth 450.000 copë cigare si dhe duhan i grirë rreth 200 kilogramë”, është thënë në njoftimin e Doganës.