Dogana shënon 22-vjetorin e themelimit

03 shtator 2021 | 14:56

Arritjet e Doganës së Kosovës dhe kontributi i dhënë shoqërisë gjatë viteve kanë qenë të rëndësisë jetike dhe janë arsye për mburrje për shoqërinë dhe institucionet.

Dogana e Kosovës ka filluar punën më 3 shtator 1999, me një staf prej 35 zyrtarëve, ndërkaq sot Dogana e Kosovës ka ngritur kapacitetet të një administratë doganore profesionale, me rreth 580 zyrtarë, me pajisje dhe vegla moderne, kapacitete bashkëkohore që konkurrojnë edhe me vendet e zhvilluara.

Dogana e Kosovës është anëtare e plotë e Organizatës Botërore të Doganave dhe kjo është e arritur e madhe për këto 22 vite.

“Deri më tani Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 15 miliardë euro të hyra për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe ky përvjetor shënohet edhe me disa rekorde mbresëlënëse që i ka mundësuar zhvillimit ekonomik, sidomos gjatë muajve të fundit, përtej sfidave të imponuara nga pandemia. Aktualisht ne kemi arritur sivjet të mbledhim mbi 878 milionë euro apo 34 për qind më shumë se vitit 2020, përkatësisht 15 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2019, përkundër politikave përkrahëse për prodhues, për lirime nga taksat në import për lendet e para dhe inputet qe përdoren ne proces te prodhimit që arrijnë vlerën 76 milionë euro apo 54 për qind më shumë se vitin e kaluar, ndërsa që ngjashëm edhe ndikimi nga marrëveshjet tregtisë së lirë (MSA dhe MTL me Turqinë) që deri tani këtë vit kapin vlerën prej 77 milionë euro ndikim në të hyrat e Doganës”, është bërë me dije në njoftimin për media.

Dogana ka njoftuar se progres është regjistruar përtej pritjeve edhe në vlerën e mallrave të eksportuara sivjet.

“Për periudhën e njëjtë krahasuar me vitin paraprak kemi 67 për qind më shumë vlerë të mallrave të eksportuara, ndërsa që edhe viti 2020 me vitin 2019 ka qenë mbi 25 për qind më i lartë. Rendësi të veçantë ju kemi dhënë edhe lehtësirave tregtare për komunitetin e biznesit duke iu mundësuar procedura të thjeshtëzuara, shkurtim të kohës dhe kostos nëpër procedura doganore për të bërit biznes, digjitalizim të shërbimeve, çka për të gjitha këto Dogana e Kosovës vlerësohet lartë dhe si lidere në rajon por edhe me gjerë për qasjen profesionale dhe ofrimin e shërbimeve kualitative ndaj komunitetit të biznesit”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtyre 22 viteve, Dogana ka luajtur rol të rëndësishëm në luftimin e ekonomisë joformale, kontrabandës, falsifikimeve dhe formave të tjera të krimit të organizuar, ku janë zbuluara me dhjetëra mijëra raste të kundërvajtjeve dhe mijëra raste të veprave penale.

Efekti direkt dhe indirekt në të hyra është me qindra milionë euro, ku vetëm për këtë periudhë të këtij viti 2021 vlera e të gjitha mallrave të zbuluara sipas kundërvajtjeve doganore është mbi 50 për qind më e lartë se viti paraprak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mërgimtarët janë ankuar se nuk po mund të marrin speca…