Dogana zbulon 65 mijë euro, u tentua të futen ilegalisht në Kosovë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se të premten në Vërmicë, gjatë zhvillimit të operacionit nga njësitë e antikontrabandës dhe njësisë K9 të doganës, është arritur të parandalohet futja ilegale e 65 mijë eurove.
Në hyrje është paraqitur një automjet me targa të Republikës së Shqipërisë, i cili është përzgjedhur për kontroll në vijë të dytë së bashku me policinë.
Është bërë me dije se gjatë kontrollit të veturës, në pjesën e bagazhit, në vendin e destinuar për pajisjet e ndihmës së parë, është zbuluar një pliko e verdhë e fshehur, e cila përmbante mjete monetare në shumë totale prej 65 000 eurosh.
Rasti është dërguar për hetime, derisa është marrë masa e menjëhershme e konfiskimit të 25 për qind të shumës totale të padeklaruar, në vlerë prej 16 mijë e 250 euro. Pjesa e mbetur, 48 mijë e 750 euro, deponohen deri në përfundim e procedurave të mëtejme.