Dogma si doktrinë politike: E vërteta, besimi dhe shoqëria

07 prill 2025 | 11:31

Nga: Prof. Jeton Kelmendi PhD
Në diskursin politik bashkëkohor, termi “dogmë” shpesh përdoret për të përshkruar ide të ngurta, të cilat përfaqësojnë më shumë një besim të verbër sesa një koncept të ndërtuar mbi argumente dhe debate të mirëfillta. Në një kohë kur demokracia pret transparencë dhe dialog, dogma politike shpërfaqet si një kërcënim serioz për pluralizmin dhe pjesëmarrjen e lirë qytetare. Dogma, në kuptimin klasik, është një besim i palëkundur dhe i padiskutueshëm, i cili nuk lejon debat apo rivlerësim. Fillimisht e njohur në rrafshin fetar, ku dogmat shpalleshin si të vërteta absolute të zbuluara hyjnisht, ky nocion me kalimin e kohës ka marrë edhe një dimension filozofik, ideologjik e politik. Në thelb, dogma përjashton kritikën, racionalizimin dhe relativizmin, ndërsa ajo i imponohet individit apo shoqërisë si “e vetmja e vërtetë”. Kur një lider politik apo një parti përqafon një dogmë dhe e shndërron atë në doktrinë politike, kemi të bëjmë me një mbyllje të mendimit politik dhe përjashtim të alternativave. Kjo formë qeverisjeje mbështetet jo në bashkëbisedim demokratik, por në ndërtimin e një realiteti ideologjik të kontrolluar, ku figura e liderit mitizohet dhe kundërshtimi etiketohet si tradhti. Në këtë kontekst, media shpesh përjashtohet nga procesi i komunikimit publik dhe zëvendësohet me kanale alternative të kontrolluara, që përçojnë vetëm versionin e pushtetit. Një qasje e tillë nuk i shërben as shoqërisë e as qytetarëve, por vetëm një elite të ngushtë dhe sidomos vetë liderit dogmatik. Kjo rrezikon themelet e demokracisë dhe çon drejt autoritarizmit të butë ose edhe të deklaruar, por më me kujdes.
Kur dogma shndërrohet në doktrinë politike?
Në sferën politike, dogma merr një formë të re kur ajo përkthehet në doktrinë të organizuar dhe strategji veprimi, pra kur ajo përdoret nga elita politike apo lideri karizmatik për të formësuar ideologjinë e partisë dhe mënyrën e qeverisjes. Në këtë kontekst, ajo kthehet në një mjet për dominim ideologjik, duke përjashtuar alternativat dhe mendimet e ndryshme.
Dogma bëhet doktrinë politike kur:
• Krijohet një kult rreth liderit, ku fjalët e tij konsiderohen të pakundërshtueshme.
• Shpaloset një ideologji e mbyllur, që e paraqet veten si rruga e vetme drejt së vërtetës.
• Margjinalizohet apo eliminohet çdo opozitë kritike, duke u etiketuar si armike e rendit dhe shoqërisë.
• Politika kthehet në mision shpëtimtar, ku lideri apo partia e paraqet veten si “e vetmja shpresë”.
Dogma politike në histori dhe sot
Historikisht, shumë regjime autoritare e totalitare kanë përdorur dogmën si themel të pushtetit të tyre – që nga komunizmi sovjetik, nazizmi, e deri te regjimet theokratike apo populiste. Ato kanë ndërtuar një narrativë të vetme, me karakter mistik apo revolucionar, dhe kanë asgjësuar pluralizmin e mendimit. Në ditët tona, dogma nuk ka më format klasike të dekretimit ideologjik, por ka ndërruar formë dhe shtrirje. Ajo manifestohet përmes diskursit të njëanshëm politik, të mbështetur në populizëm, mitizim liderësh, dhe refuzim të debatit demokratik.
Roli i mediave dhe strategjia dogmatike e komunikimit
Në shoqëritë demokratike, media është forca e katërt, zëri kritik që mban përgjegjës elitën politike. Por kur një lider apo parti operon mbi baza dogmatike, ai nuk e njeh legjitimitetin e medias si kontrollues pushteti. Në këtë rast:
• Media injorohet ose shpallet armike.
• Përdoren kanale alternative komunikimi, shpesh të kontrolluara nga vetë lideri apo rrethi i tij (mediet sociale).
• Kultivohet një realitet paralel, ku çdo informacion i pakëndshëm përjashtohet si “manipulim” apo “tradhëti”.
• Lëvizja politike përpiqet të krijojë një komunitet të mbyllur mbështetësish, ku qarkullon vetëm “e vërteta” e liderit dhe grupit të tij.
Kjo qasje është e rrezikshme jo vetëm për pluralizmin mediatik, por për vetë strukturën e demokracisë. Kur media përjashtohet nga qarku i komunikimit politik, i gjithë procesi demokratik shndërrohet në një farsë propagandistike.
Kujt i shërben dogma politike?
Pa dyshim, nuk i shërben shoqërisë. Nuk i shërben as qytetarëve, as zhvillimit demokratik, e as ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme. Dogma politike i shërben vetëm një grupi të ngushtë interesash, e mbi të gjitha:
• Liderit dogmatik, i cili synon të ruajë pushtetin përtej kontrollit dhe kritikës.
• Klientelës politike që ushqehet nga pushteti dhe i shërben atij në këmbim të privilegjeve.
• Narrativës së frikës dhe ndarjes, që dobëson oponencën dhe rrit varësinë ndaj liderit.
Në vend të një kontrate shoqërore të hapur dhe dinamike, krijohet një marrëdhënie vertikale dhe paternaliste, ku qytetari jo vetëm nuk pyetet, por supozohet ta pranojë “të vërtetën” si të vetmen mundësi. Në fakt qytetarët manipulohen dhe çdo veprim bëhet në emër të qytetarit dhe për qytetarin, por e vërteta është e kundërt. Në ketë kontekst cilat janë perceptimet për të vërtetën, besimin dhe shoqërinë.
E Vërteta – Kur përkufizohet nga pushteti
Në një rend demokratik, e vërteta është rezultat i debatit publik, shkëmbimit të lirë të ideve dhe verifikimit të fakteve. Por kur një ide apo qëndrim shndërrohet në dogmë politike, e vërteta nuk është më e hapur për diskutim; ajo imponohet nga autoriteti, shpesh nga vetë lideri ose elita që sundon. Në këtë kontekst, e vërteta bëhet një ndërtim artificial, i instrumentalizuar për legjitimitet. Historia njeh plot shembuj – nga regjimet totalitare deri te partitë moderne me liderë karizmatikë – ku e vërteta është e centralizuar dhe çdo interpretim tjetër cilësohet si devijim apo tradhti. Kjo krijon një realitet të ngushtë, ku qytetari nuk mëson, por pranon, nuk analizon, por beson.
Besimi – Nga bindja qytetare në bindje absolute
Dogma politike jeton dhe fuqizohet përmes besimit të verbër të ndjekësve. Kësi soji ky besim nuk ndërtohet mbi argument, por mbi emocion, mitizim dhe identifikim me liderin. Në vend të qytetarit racional, krijohet besimtari politik, i cili nuk pyet për të drejtën apo të mirën e përbashkët, por ndjek drejtimin që i jepet. Në këtë mënyrë, partia apo lideri përkufizohet si shpëtimtar, ndërsa çdo kritikë shihet si sulm ndaj vetë kombit apo popullit. Ky model besimi është i rrezikshëm, sepse paralizon reflektimin, dobëson etikën politike dhe e bën shoqërinë viktimë të manipulimit ideologjik.
Shoqëria – Nga pjesëmarrja në nënshtrim
Në një shoqëri ku dogma është bërë doktrinë politike, mendimi i lirë dhe pluralizmi politik veniten. Qytetarët nuk shihen më si bashkë krijues të rendit politik, por si subjekte të bindur të një autoriteti suprem. Media, në vend të rolit të saj kritik dhe informues, shpesh anashkalohet ose margjinalizohet. Kur media nuk i shërben interesit të liderit dogmatik, atëherë ajo zëvendësohet me kanale të reja komunikimi të kontrolluara nga partia, si rrjete sociale, fushata propagandistike dhe figura të instrumentalizuara në medie, të cilët cicerone për liderin dhe partinë. Kjo gjeneron një mjedis ku liria zëvendësohet me konformizëm, dhe ku shoqëria nuk i shërben vetes, por një grupi të privilegjuar dhe një individi që kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht dhe pakufishëm në kohë. Dhe kur i analizojmë me kujdes të gjitha këto fakte del se dogma, kur shndërrohet në doktrinë politike, bëhet një formë e pushtetit absolut të mendimit, që mohon debat, kundërshtim dhe zhvillim demokratik. Në kohët moderne, kjo dogmë operon nën maska të reja – komunikim alternativ, diskurs populist, liderizëm ekstrem – por synimi mbetet i njëjtë: kontrolli i plotë i shoqërisë përmes manipulimit të së vërtetës. Nga ana tjetër demokracia ka nevojë për dy elemente thelbësorë: kritikë dhe transparencë. Në mungesë të tyre, çdo ide politike, sado e drejtë të duket, mund të rrëshqasë në dogmë dhe autoritarizëm. Dhe kur kjo ndodh, fituesi nuk është populli – por ai që ka shpikur dogmën.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka pritur në një vizitë…