Doktor Zekaj thotë se rastet e të infektuarve do të shpeshtohen shumë
Mjeku Visar Zekaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se rastet e të infektuarve do të shpeshtohen shumë.
“Vala e infeksionit me coronavirus do të shkojë duke u rritur, dhe normalisht kur ka rritje të numrit të të infektuarve mundësia e komplikimeve të rasteve të infektuara sidomos të të moshuarit me sëmundje kronike (kardiomiopatitë, bronkitet obstruktive, astma bronkiale, sëmundjet kronike të veshkave mëlqisë, sëmundjet neurologjike) poashtu mund të rritet e që për pasojë mund të ketë raste tjera të vdekjeve”, ka shkruar ai.
Për t’i evituar rritjet e infeksionit, Zekaj ka theksuar se duhet të marrim masat e duhura.
“Të evitohen daljet (ditëve të fundit janë shtuar tejmase daljet), të dalim një herë në javë për furnizim me ushqim dhe atë vetë një person t’i bëjë blerjet, gjatë blerjeve në markete të përdorim dorezat dhe maskat mbrojtëse (nuk ka nevojë t’i mbajmë edhe gjatë ngasjes së makinave), të mbajmë higjienën personale, t’i pastrojmë duart me sapun për 20-30 sekonda, ose ti dezinfektojmë me bazë alkooli 70%, të përdorim faculeta gjatë teshtitjeve dhe kollitjeve ose të mbulojmë gojën me brryla në mënyrë që mos t’i gjuajmë larg spërklat por ti bllokojmë afër. Në bazë të ecurisë së infeksionit besoj që në muajin qershor do mundemi të pimë kafe”, ka thënë Zekaj.
/Epoka e re/