Doktoresha nga Kosova merr çmimin “Personalitet nderi me medalje të artë”
Qyteti i Grazit ka nderuar Dr. Lumnije Kqikun me çmimin “Personalitet nderi me medalje të artë”.
Kqiku ka fituar këtë çmim bazuar në rezultatet e saja kulminante në shkencë, në rrugën e saj profesionale aspak të lehtë dhe shumë sfiduese.
Ka një mori çmimesh e dekoratash të fituara, por ky çmim i jepet pas vdekjes së babait të saj, që i ka munguar edhe në këtë ceremoni shumë festive për karrierën e saj. “Çmimin që sot u nderova nga qyteti i Grazit për të arriturat shkencore “Personalitet nderi me medalje të artë”, çmim që na nderoi të gjithëve, ju dedikoj prindërve të mi, posaçërisht Ty Babë, me zemër krenare, por edhe të thyer, që nuk ishe në mesin tonë sot” ka shkruar Kqiku.
Lumnije Kqiku – Biblekaj çdo ditë e më shumë po e bënë krenare Kosovën dhe qytetin e saj të lindjes Gjilanin. Ajo për asnjë moment nuk e harron atdheun e saj, madje sakrifikoi për më shumë se një vit duke qenë pjesë e ekipit të ish ministrit Rifat Latifi, duke ofruar dijen e saj në shërbim të Kosovës dhe duke treguar praktikisht se si duhet e punohet për Kosovën.
Të premten Lumnije Kqiku mori një çmim shumë domethënës nga qyteti i Grazit. Një çmim special i quajtur “Personalitet nderi me medalje të artë”, i ka dhënë edhe më shumë kuptim anës shkencore e humanitare të doktoreshës që jeton duke shërbyer në dobi të pacientëve dhe komunitetit ku jeton e vepron. “Mirënjohja është gjëja më e thjeshtë për të ju thënë faleminderit”, ka shkruar gazeta austriake graz.at.
E veçanta e këtij çmimi lidhet me faktin se në ceremoni pothuajse ishte i pranishëm i tërë ekipi i qeverisjes së Grazit.
Ajo edhe në këtë rast nuk mundi ta anashkalojë dedikimin e saj prekës që shkroi edhe në rrjetet sociale. “Ju përulem denjësisht, Çmimin që sot u nderova nga qyteti i Grazit për të arriturat shkencore “Personalitet nderi me medalje të artë”, çmim që na nderoi të gjithëve, ju dedikoj prindërve të mi, posaçërisht Ty Babë, me zemër krenare, por edhe të thyer, që nuk ishe në mesin tonë sot” kishte shkruar Kqiku.
Për vet çmimin Kqiku për rajonipress thotë se e obligon që edhe më shumë të punojë për të afirmuar në radhë të parë punën e saj shkencore dhe pastaj për ta ngritur nivelin e afirmimit të Kosovën në arenën ndërkombëtare.”Unë gjithmonë mendojë për Kosovën, për qytetin tim të lindjes, për gjeneratat e reja që po punojnë ende në kushte jo të mira. Jam e sigurt se Kosovën e presin ditë të mira e të mbara, vetëm se duhet ndryshuar qasja e institucioneve shtetërore ndaj kuadrove që vërtet meritojnë të përkrahen e ndihmohen. Kam parë shumë ekspert e studiues të devotshëm që janë në gjendje të japin gjithçka nga vetja, por kur shteti yt nuk të përkrah, pastaj është problem të jesh i suksesshëm edhe gjetiu” shprehet Kqiku.
Kqiku thotë se nuk është e lehtë të jesh në agjendën e mirënjohjeve e kontributeve të institucioneve kredibile në Austri, pa pasur vërtet kontribut real dhe pa pasur edhe atë opinion e mirë e të sinqertë të njerëzve që ke punuar gjatë.”Çmimi vjen pas sfidës së madhe të punës sime, angazhimit tim të paluhatur duke sakrifikuar vetën, familjen, fëmijët dhe duke humbur orë të tëra duke qëndruar në orar të punës. Vetëm puna dhe përgjegjësia të japin atributin e më të mirit sepse këtu gjithçka monitorohet e përcillet kujdesshëm” u shpreh Kqiku për rajonipress.
Ndryshe Lumnije Kqiku ka prezantime të shumta ndërkombëtare e vendore ku edhe ka marrë pjesë aktivisht me punime shkencore e studimore, seminare e konferenca nga m,ë të ndryshmet.
Dr. Lumnije Kqiku-Biblekaj është një nga autoritetet botërore me prestigj të lart / model i një femre të suksesshme. Ajo pothuajse i ka arritur të gjitha nivelet akademike në moshën e saj të re shkencore.
Mbetet motiv edhe për shumë femra të tjera anekënd botës. Nuk ka qen e lehtë sepse ndoshta kam humbur shumë nga jeta ime private, larg familjes dhe kënaqësive tjera, por për mua është e bujshme sepse jam këtu ku jam. Suksesi im është i prekshëm dhe jam krenare që përfaqësoj edhe kombin tim dhe jam e pranishme në Konferencat më të avancuara të nivelit ndërkombëtar.
Por kush është Dr.Lumnije Kqiku-Biblekaj që me punën e saj të palodhshme dhe guximin bëri karrierë të bujshme? Kqiku është nënë e tre fëmijëve, gruaja e parë nga Kosova dhe Shqipëria që me 2011 hyn në librin enciklopedik më prestigjioz në botë “Who´s Who in the World” është ky libër që boton biografit e personave të cilët shquhen për të arriturat e tyre dhe karrierën e jashtëzakonshme.
Ajo punon në Universitetin e Grazit/ Austri udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Graz të Austrisë.
Në vitin 2018 fiton titullin e Univ.Doz.Dr.med.dent, autore dhe bashkautorë e punimeve të shumta profesionale dhe shkencore.
Është anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare, njëherit edhe recensente e shumë revistave shkencore dentare që me punën e saj të palodhshme, guximin dhe diturin e bën një zonjë të dalluar, karriera e së cilës është frymëzuese për rrugën e suksesit.
Çfarë punon dhe për çfarë njihet Dr. Kqiku?
Ka lindur në Gjilan, Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Kosovë, ku edhe i vazhdoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë, në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 2004 nostrifikoi diplomën e Fakultetit në Universitetin Mjekësor të Grazit, Austri ku edhe mbrojti magjistraturën.
Në vitin 2006 përfundoi doktoratën, dhe u promovua në specialiste të endodoncisë. Gjatë viti 2007 ishte në vizitë studimore në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Zagrebit, si dhe në vitin 2010 në Universitetin Mjekësor të Tübingen-it, Gjermani.
Poashtu, udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në kliniken Universitare Grac të Austrisë, si dhe koordinatore për rrjetin Ceepus ( Central European Exchange Program for University Studies) për Kliniken Universitare Stomatologjike të Gracit.