Doktori i UÇK-së kujton të rënët në betejën e Kallavajt
Shkruan: Haxhi Kamberi
Njëzet e dy vite më parë, regjioni i Rekës së Keqe ishte konsoliduar në një hapësirë të gjerë si zone e lirë, duke përfshirë fshatrat: Rrypaj, Madanaj, Ramoc, Rracaj, Sheremet, Dallashaj, Pacaj, Dobrosh, Junik, Gjocaj, Jasiq, Voksh, Smolicë, Stubëll, Berjahë dhe Nivokaz.
Në këtë regjion të njohur si “Nënzona e Rekës”, Ushtria Çlirimtare e Kosovë kishte bërë një organizim të shkëlqyeshëm, ku krahas mbajtjes së vijave të frontit në luftime të përditshme me forcat serbe, mbahej i lirë edhe korridori për furnizim me armë nga Shqipëria për të gjitha zonat e luftës në Kosovë. Nëpërmes këtij korridori në këtë periudhë shkonin në Shqipëri për furnizim me armë qindra e mijëra luftëtarë dhe pastaj prapë ktheheshin për të shkuar në vijat e frontit gjithandej Kosovës.
Banorët e këtyre fshatrave siguronin strehimin, qëndrimin dhe transportin për mijëra luftëtarë dhe për armët e tyre. Kjo zonë ishte shndërruar në një fortifikatë të pathyeshme dhe në zonë me rëndësi të veçantë strategjike. Për ketë arsye forcat serbe, për një të kohë gjatë sjellën në vijën e frontit që nga Gjakova deri në Junik, forca të shumta ushtarake, armatim dhe mjete luftarake duke përfshirë tanke, autoblinda dhe praga. Duhet cekur se Shtabi i UÇK-së në Dobrosh në krye me komandant Rifat Sylejmanin, gjatë analizave të përditshme, të luftimeve dhe qëndrueshmërisë së vijave të frontit, kishte piketuar herët si pikë të dobët rrugën nga Botusha për Kallavaj te Junikut, përmes të cilës forcat serbe mund të sulmonin dhe futeshin si pykë në mes të fshatrave Junik, Dobrosh dhe Nivokaz, me qellim që të copëtonin zonën e lirë të Rekës dhe kështu të ndërprisnin vijën e furnizimit të UÇK-së me armatim nga Shqipëria.
Për këtë arsye shtabi i UÇK-së në Dobrosh, ndërmori masat e duhura duke dërguar disa ushtarë të UÇK-së në këtë pikë, për të mbrojtur këtë pozicion. Në këtë periudhë unë isha drejtues i shërbimit sanitar për Nënzonën e Rekës dhe i Spitalit ushtarak në fshatin Dobrosh, spitali ishte afër vijës së frontit dhe për muaj të tërë trajtuam ushtarë dhe civil të plagosur. Mëngjesi i datës 25.07.1998, në Rekë të Keqe gdhiu nën krisma të shumta të armëve, ashtu siç e kishim parashikuar, ushtria serbe me forca të shumta ushtarake me tanke, praga dhe autoblinda, kishte sulmuar nga drejtimi i fshatit Botushë, me qëllim për të depërtuar në rajonin e Kallavajit.
Sulmi ishte tepër i ashpër, krismat dhe shpërthimet e armëve dëgjoheshin në gjithë vijën e frontit, beteja ishte e pabarabartë, por heroizmi i luftëtarëve të UÇK-së ishte i jashtëzakonshëm. Të ndodhur në një situatë të tillë, Shtabi i UÇK-së nën drerjtimin e Rifat Sylejmanit u mblodh në një takim urgjent, ku u vendos që të mobilizonim të gjitha forcat e mundshme dhe ti dërgonim në front me qëllim që të ndalnin përparimin e ushtrisë serbe. Gjithashtu u dhanë edhe detyra konkrete nga komanda dhe menjëherë filluan veprimet operative.
Me kërkesën e komandantit Rifat Sylejmani, unë u nisa për në fshatrat Sheremet dhe Pacaj për të kërkuar ndihmë. Në Sheremet takova kalimthi Vezir Ademin dhe luftëtarë tjerë ndërsa në Pacaj takova Hysen Arifin i cili po bënte përgatitjet e fundit për tu nisur në front, pas bisedës me të unë u ktheva në spital. Ndërkohë zhvilloheshin luftime të ashpra në gjithë vijën e frontit që nga Gjakova deri në Junik, epiqendra e këtyre luftimeve ishte Kallavaj. Pas disa orë luftimesh në vijën e frontit në Kallavaj në drejtim te Dobroshit, heroikisht bie Vezir Ademaj ndërsa plagoset rëndë Hysen Arifi. Hysenin menjëherë e sjellin në spitalin ushtarak, aty i japim ndihmën e parë dhe i bëjmë përpunimin e plagëve bashkë me Dr. Afrim Sylejmanin, por meqenëse plagët ishin të shumëfishta dhe tepër të rënda dhe kërkonin ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike, ne organizuam transportin e Hysenit për në spitalin ushtarak të Irzniqit, aty operohet nga Dr. Avdyl Krasniqi por nuk mundi t’ju përballoj plagëve dhe pas dy javësh vdes edhe Hysen Arifi.
Luftimet të ashpra zhvilloheshin edhe nga drejtimi i Junikut, përballë forcave serbe heroikisht qëndronin ushtarë të UÇK-së, në krye me komandantët Naim Maloku dhe Gani Shehu, të cilët edhe plagosen rëndë gjatë këtyre luftimeve. Gjatë natës së 25 korrikut luftimet u ndalen, por nga forcat serbe dëgjoheshin rafalë të kohëpaskohshme dhe raketa ndriçuese që vinin mbi pozicionet tona dhe mbi fshatin Dobrosh e Nivokaz. Rreth orës dy të natës pranë spitalit u takova me Shaban Golen, ai kthehej nga një aksion vëzhgimi. U ulem jashtë dhe e ndezëm nga një cigare, filluam bisedën për luftimet gjatë ditës për rënien e Vezirit dhe plagët e Hysenit. Biseduam gjatë edhe për shumë gjëra, pasi ai kthehej nga vëzhgimi, Shabani më tha se gjendja është serioze, sepse në Kallavaj nuk kanë hyrë vetëm 2-3 tanke, por gjithsej 23 tanke dhe praga dhe ai i kishte njehur një nga një. Me Shabanin qëndruam gjatë duke biseduar, ai ishte i lodhur nga luftimet e ditës, ndërkohë mua më ishte mbaruar duhani, andaj i kërkova edhe një cigare, Shabani nxori një pako dhe ma ofroi, unë nuk desha ta merrja, por ai insistoi duke më thënë se ka mjaft dhe menjëherë nxori nga xhepat e tij disa pako dhe qeshi duke thënë se ai ka mjaft pako të cigareve dhe i ka si bomba. Unë duke e njohur guximin e tij në ndarje i thash Shaban kujdesu për veten se është luftë e vërtetë, luftë me ushtrinë serbe, ai më shikoi gjatë dhe prapë qeshi dhe tha: “doktor ende nuk është prodhuar plumbi që mund të më merr mua nga fabrikat serbe”.
Duke qeshur u ndamë për të mos u takuar kurrë më, sepse pas disa orësh, me 26.07.1998, deri sa po godiste tanket serbe në vijën e frontit, Shaban Gola goditet për vdekje nga një Pragë dhe bie në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë. Dhimbja për rënien e Shabanit ishte e madhe, por luftimet nuk u ndalen për asnjë moment. Duhet cekur se gjatë kësaj kohe për të ndihmuar forcat e UÇK-së, në Kallavaj kishte ardhur edhe një njësit nga fshati Smolicë.
Lufta e Kallavajit vazhdoi deri me datën 02.08.1998 e ku në fushën e nderit bien edhe Fetah Krasniqi nga Gjurgjeviku i Klines dhe Isuf Ahmeti nga Stublla, drejtor i shkollës fillore ”Ganimete Tërbeshi” në Ponoshec.
Në fund të këtij shkrimi përkujtimor mendoj se deri me tash nuk është shkruar mjaftueshëm për epopenë e luftës së Kallavajit e cila zgjati nga data 25.07.1998 deri me 02.08.1998, gjithashtu nuk është shkruar mjaftueshëm as për heronjtë e kësaj beteje, as për heroizmin e banorëve të këtyre fshatrave dhe as për komandant Rifatin, ashtu siç nuk është shkruar dhe folur mjaftueshëm për betejat tjera të lavdishme në regjionin e Rekës së Keqe. Konsideroj se ky përshkrim i imi si pjesëmarrës i drejtpërdrejt i këtyre luftimeve sadopak e ngacmon kujtesën tonë historike dhe është një kontribut vogël, karshi obligimeve të mëdha që i kemi për të rënët për liri.
Lavdi heronjëve të betejës së Kalavajit!
Nder dhe respekt për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!
Dr. Haxhi Kamberi, 25.07.2020