Dokument, dokument, gjithë Skënderbeun për pak dokument!
Nga të mesnatës
Nga Aurel Plasari
Mund të ketë mbetur nga tradita e mbledhjeve të lagjes të kohës së socializmit real, gjatë të cilave duhej të shpreheshin të gjithë dhe tanimë, a thua se ajo traditë është trashëguar si lija, të gjithë japin mendime për historinë e Gjergj Kastriotit, Skënderbeu.
Makar të ishin mendime! Shprehen si teza, me siguri të plotë, madje edhe me njëfarë pezmatimi ndaj atyre që shkruajnë për historinë në fjalë pa i ditur tezat e tyre.
Kur pastroj kompjuterin, gjej edhe unë do të atilla në koshin e mbeturinave dhe doemos e kuptoj që, edhe pse më drejtohen mua, mua as më kanë lexuar, as më kanë dëgjuar. Të më kishin lexuar ose dëgjuar do të kishin nxënë përmendsh parimin e që e kam përsëritur në mënyrë figurative për ta kuptuar edhe shoferët e nderuar të taksive: “Historia punon me dokumente si motori i makinës me karburant”. Ndoshta kam harruar të shtoj që me ujë ky i fundit nuk punon.
Njëri: “Skënderbeu nuk ka luftuar për Arbërinë, por për Bizantin, ai donte të bëhej perandor i Bizantit”. Po dokumenti? Ku është? Se në ç’kafene e ka dëgjuar, kjo nuk paraqet ndonjë interes. Por nuk më ka lexuar as mua dhe as z. Voltaire që tha: “Të kishin qenë Skënderbej perandorët grekë [bizantinë], Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtuar”. Vlerësimi i z. Voltaire, për shembull, është i dokumentuar, fantazitë perandorake ende jo, le të presim.
Një i dytë: “Gjergji është me origjinë hebreje nga Kastriotët e Toledos dhe që janë hebrenj, gjak mbretëror i Davidit”. Dokumenti? As ia ka idenë se ç’do të thotë ta dokumentosh një pretendim të tillë.
Një i tretë: “Skënderbeu është sllav, nip i Branillo Kastriotit dhe kjo lexohet qartë në një dokument të vitit… (vitin nuk e di)”. Më në fund ky paska dokument, madje e paska lexuar, edhe pse nuk di të lexojë. Po të dinte, do ta lexonte sak dokumentin që përshkruan betimin e një dinasti (sllav) pushtues të Vlorës dhe të Kaninës, të viteve ’60 të shek. XIV, me rastin e bërjes së tij qytetar nderi i Raguzës në Raguzë në prani të dëshmitarëve që numërohen si vijon: “Prodan Vojvoda dhe Mikleushi, qefalija i Vlorës Branilo dhe qefalija i Kaninës Kastriot…”.
Lexohet pra më se qartë që Kastrioti i këtij dokumenti është qefali i Kaninës, kurse Branilo qefali i Vlorës, dy funksionarë të ndryshëm. Leximin e gabuar, pa lidhësen “dhe” mes dy personave, e ka shkaktuar një historian i hershëm gjerman (Carl Hopf) dhe është qortuar qysh një shekull e ca më parë (1899). Përndryshe, për ta bërë njësh Branilon me Kastriotin, ku do ta fusim lidhësen “dhe”? Ky ishte “lexuesi” .
Një i katërt: “Nuk quhet Skënderbe, por Skanderbeg sepse….(vijon një tjerrje e gjatë)”. Halli që nuk përgjigjem. Pasi, po të përgjigjesha, do t’i rekomandoja t’u shkruajë një herë në inbox Naim Frashërit për Historinë e tij të Skënderbeut, Konicës, Nolit e me radhë dhe të më lërë, për në fund fare, mua.
Një i katërt: “Emri Vojsava është emri i së bijës së Gjergj Kastriotit dhe jo i gruas së tij, por të gjithë historianët këtë e falsifikojnë për t’ia fshehur të bijën”. Nuk po e komentoj. Është natë dhe e di që do të më rekomandonit të mos rrëmoj ndër mbeturinat e koshit përkatës.
I citova pothuaj tekstualisht dhe them “pothuaj” sepse të gjithë këta diturakë – të gjithë! – e shkruajnë shqipen jo me 36 shkronja, sa ka alfabeti i gjuhës shqipe, por me 34.
Ah, se desh harrova. Njëri syresh na mëson edhe diçka që nuk e paskëshim ditur: që në kohën e Skënderbeut shqipja ishte gjuhë që e fliste e gjithë Europa dhe Barleti ka gabuar që Historinë e tij e ka shkruar… latinisht.