Dokumentari i ‘Opinion’-it: Nga CIA dhe DASh-i, dokumentet shfajësuese që prokuroria e Speciales i mbajti fshehtë

01 qershor 2022 | 11:05

Avokati amerikan, Gregory Kehoe, i cili mbron ish-presidentin Hashim Thaçi, në një seancë gjatë shkurtit të këtij viti, ishte parë në kulmin e frustrimit, pasi kishte zbuluar se Prokuroria e Gjykatës Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësuese për të akuzuarit , mes të cilave edhe ajo e dhënë nga ish-diplomatit i lartë i OSBE-së, Dan Everts.

Everts, që ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës, mes tjerash, i kishte thënë prokurorisë se veprimtaritë kriminale, pas qershorit të vitit 1999, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale, e nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare.

“Asgjë nga kjo nuk na u dorëzua teksa po i shtjellonim dhe diskutonim provat. Asgjë nga kjo nuk i është dhënë shkëlqesisë suaj. Asgjë. Dhe ata e kishin këtë informacion për katër vjet. Dhe Prokurori Special supozohet se e kërkon të vërtetën. E megjithatë, shkëlqesia juaj kurrë nuk e kishit këtë dokument. Ai, madje, nuk ju tha as juve se provat që kishin në posedim – dëshmojnë se ata nuk janë fajtorë, se ka një dyshim të arsyeshëm për të gjitha këto. Por, po i mbajnë në burg pafundësisht”,

“Pjesa tjetër e dëshmitarëve të OSBE-së, që ata mendojnë se përbëjnë prova fajësuese, u dorëzuan. U dorëzuan në gusht 2021. Të vetmin që lanë jashtë ishte ai. Pse? Pse e lanë jashtë?”, ka deklaruar avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.

Prokuroria është akuzuar se ka mbajtur të fshehtë një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), e datës 4 maj 1999, në të cilën është thënë se nuk kishte strukturë politike ose komandë dhe kontroll efikas të UÇK-së.

I fshehur ishte mbajtur edhe një raport i CIA-s, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.

Në një dokumentar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, i titulluar “Devijimi Special” është zbuluar saktë se çfarë shkruhej në këto letra.

Letra e Departamentit Amerikan të Shtetit:

“Për më tepër, pasi nuk ka strukturë politike në Kosovë ose komandë dhe kontroll efektiv të UÇK-së, do të duheshin shumë muaj, nëse jo vite, për t’i organizuar ata që të përdorin dhe mirëmbajnë çdo ndihmë ushtarake që Shtetet e Bashkuara do të ofronin”.

Raporti i CIA-s:

“Udhëheqja e UÇK-së nuk duket të jetë përfshirë në operacione të drogës për të mbështetur aktivitetet e saj gjatë luftës…”

“UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në aktivitete terroriste – të përcaktuara si dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht, e ushtruar kundër caqeve civile”.

Fshehja e provave shfajësuese është konsideruar me pasoja të rënda dhe shkelje e të drejtave të njeriut, ndërsa mbrojtja ka kërkuar në procesin e shpalosjes së materialeve dhe dëshmive të instalohet një mbikëqyrje e pavarur.

“Kjo çështje ka pasoja të rënda. Ka implikime që janë më të gjera se këto procedura, më të gjera se Dhomat e Specializuara. Implikimet janë të tilla që thyejnë, tundin themelet e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë. Prokuroria ka tradhtuar detyrën e saj për të sjellë të vërtetën”.

“Në vend që t’i lënë faktet të çojnë drejt përfundimit, ata kanë vendosur t’i lakojnë faktet për qëllimet e tyre të dëshiruara. Tani, nëse mendoni për këtë, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë avokati Pierre Prosper, i cili po ashtu është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sipas avokatit Artan Qerkini, nëse prokuroria ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk bëhet fjalë për gjykim të drejtë.

“Prokuroria në fazën e hetimeve vepron si organ shtetëror dhe mbrojtja nuk i ka ato mjete në dispozicion që i ka prokuroria. Për këtë arsye është parashikuar me ligj që prokuroria të mbledhë edhe prova shfajësuese, sepse aty ku ka qasje prokuroria nuk ka qasje mbrojtja. Dhe nëse prokuroria nuk e ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk mund të flasim për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, ka thënë ai. /Opinion.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ishte çështje e mbyllur por tashmë është zyrtare: Milan ndryshon…