“Dokumentari” “Rruga e çlirimit” në shërbim të shtrembërimit të së vërtetës

02 dhjetor 2024 | 11:47

Adnan Asllani / Zvicër, 2 dhjetor 2024

Më 28 nëntor 2024, në Radio Televizionin e Kosovës, u transmetua “dokumentari” “Rruga e çlirimit” në kuadër të emisionit “Gjurmët”, i cili synonte të gjurmojë themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa i përket kritereve gazetareske, ky “dokumentar” lë shumë për të dëshiruar: “Dokumentari” nuk bën publik emrin e autorit, të skenaristit, të xhiruesit dhe as të stafit realizues, që përbëjnë kriteret e domosdoshme për një gazetari të mirëfilltë.

Një çështje tjetër që ka të bëjë me etikën profesionale lidhet me përfshirjen time në këtë “dokumentar”. Pa më informuar paraprakisht, gazetarët që kanë përgatitur këtë “dokumentar”, kanë shkëputur një pjesë nga intervista që kam dhënë në fillim të vitit dhe që është transmetuar në RTK, më 17 shkurt 2024. Përkundër asaj se incizimet janë “pronë e RTK-së”, shkëputja e pjesës së intervistës, në funksion të shtrembërimit të një të vërtetë, është shkelje e rëndë e etikës së gazetarisë, sepse kanë rënë në kurthin e porositësve të këtij “dokumentari”, të cilët, nëpërmjet këtij “dokumentari”, janë përpjekur të rishkruajnë historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë arsye e shoh të domosdoshme të sqaroj opinionin publik si më poshtë:

Në mesin e pasaktësive të shumta që përmban ky “dokumentar”, në fillim do të përmend deklaratat e Emrush Xhemajlit dhe të Gafurr Elshanit, për mënyrën si u dizajnua emblema e UÇK-së.

Në këtë “dokumentar”, Emrush Xhemajli dhe Gafurr Elshani deklarojnë se kryesia e Degës së LPK-së i kishte dhënë si detyrë Gafurr Elshanit që të merrej me krijimin e një embleme për uniformat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si i ngarkuar i kryesisë së Degës për këtë çështje, Gafurr Elshani ka shkuar në Shqipëri dhe ka kërkuar ndihmën e Xhavit Halitit, për të gjetur një piktor që do ta kryente këtë punë. Pas konsultimeve me një njeri kompetent atje (Fatri Sinanin), ai u ka sugjeruar që këtë punë ta bëjnë vetë. Si rezultat i kësaj përgjigjeje, Emrush Exhemajli pohon se “Gafurr Elshani e ka bërë vet vizatimin e emblemës që ua ka prezantuar anëtarëve të kryesisë” dhe “pas kësaj Emrushi dhe Gafurri paskan ardhur në redaksinë e “Zërit të Kosovës”, ku, siç thotë Emrush Xhemaji, “kishte kushte me dizajnu dhe Adnani i ka dhënë formë dizajni”.

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra! – thotë një fjalë e urtë popullore.

Emrush Xhemajl asnjëherë nuk ka ardhur në redaksinë e “Zërit të Kosovës” për të diskutuar çështjen e emblemës së UÇK-së. Ai ka harruar se në një shkrim të vitit 2022, kur përpiqej të “zbërthente në detaje” mënyrën e krijimit të emblemës së UÇK-së, kishte deklaruar, se “këto skica Gafurr Elshani m’i paska dhënë në prezencë të Bislim Elshanit”, kryeredaktorit të atëhershëm të gazetës.

Arsyet e një gënjeshtre të tillë qëndrojnë në përpjekjet për të bindur shikuesit se gjoja atë që thuhet në këtë “dokumentar” është e vërtetë!
Çështja e domosdoshmërisë së krijimit të emblemës së UÇK-së nuk është diskutuar as në prani të Bislim Elshanit, për shkak se në kohën kur e kemi diskutuar me Gafurrin, ai nuk ishte në redaksi, e as me Emrush Xhemajlin.

Domosdoshmërinë e krijimit të shenjave dalluese të UÇK-së e kemi diskutuar me Gafurr Elshanin në lokalet e redaksisë, në vjeshtën e vitit 1997. Gafurr Elshani, vinte shumë shpesh në lokalet e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, sepse banonte në qytetin Aarau, ku ishin edhe zyrat tona. Në një bisedë me të kam shtruar nevojën që UÇK-ja të ketë simbolet e veta, duke marrë për shembull një kapelë me një logo të një firme të madhe botërore, e cila atë ditë ishte në lokalet e redaksisë dhe ishte në pronësi të Gafurr Elshanit. Në këtë kontekst i thashë Gafurrit se nuk është në rregull që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mos ketë emblemën e vet, kur dihet se jo vetëm firmat me famë botërore, por edhe ndërmarrjet e vogla krijojnë logot e tyre dalluese. Në fund të bisedës rreth kësaj çështjeje i thashë: “Do t’i shkonte shumë bukur një emblemë në kapelën e ushtarëve të UÇK-së, siç i shkon mirë kjo logo kësaj kapele” e cila njëkohësisht ishte inspirim për dizajnimin përfundimtar të emblemës së UÇK-së.

Më 27 nëntor 1997, forcat serbe kryen vrasjen e mësuesit Halit Geci, nga fshati Llaushë. Të nesërmen, më 28 nëntor, në varrimin e Halit Gecit, Rexhep Selimi, i shoqëruar nga Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj, mbajti fjalimin publik në emër të UÇK-së. Ky veprim e shtroi si domosdoshmëri imperative të kohës krijimin e shenjave identifikuese të UÇK-së. Disa ditë pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike, erdhi Gafurri në redaksinë e gazetës dhe më pyeti nëse mund të bëja emblemën e UÇK-së. Edhe në këtë rast nuk ishte i pranishëm askush.

Pas pohimit tim se ishte një nder i veçantë për mua të merrja përsipër këtë detyrë, Gafurr Elshani me pyeti nëse ishte e mundur teknikisht të shkruhej në formë rrethore emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Detyrën e kryesisë së Degës së LPK-së, që ma transmetoi Gafurri, e mora me përkushtimin më të madh. Bëra hulumtime në fusha të ndryshme me qëllim që emblema të pasqyronte në mënyrën më besnike aspiratat kombëtare të luftëtarëve që do të bartnin uniformat me këtë emblemë. Madje sa herë që shkoja në zyrat e redaksisë, merrja me vete punën, që ndërkohë, kisha bërë rreth këtij projekti, dhe kërkoja mendimin e ndonjë anëtari të redaksisë rreth skicave ideore.
Edhe në atë kohë kam falënderuar çdo anëtarë të redaksisë që ka bërë vërejtje apo ka dhënë ndonjë sugjerim për ta bërë emblemën sa më kuptimplote. Pas një pune intensive dhjetëditore, e kam thirrë Gafurr Elshanin dhe ja kam prezantuar nëntë variante të emblemës që do të përdorej për kapelë dhe nëntë variante të emblemës që do të përdorej në krahët e uniformave. Në mesin e këtyre 18-të varianteve të emblemës, ishin edhe dy variantet për të cilat mendoja se e mishëronin më së miri shpirtin e aspiratës liridashëse të pjesës së robëruar të popullit shqiptar në Kosovë, që gjetën mbështetje dhe u shndërruan në emblema zyrtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Asnjëherë dhe në asnjë takim që kemi pasur me Gafurr Elshanin, ai nuk ka prezantuar asnjë skicë se si do të dukej emblema e UÇK-së! U takon të deklarohen publikisht anëtarët e tjerë të kryesisë së Degës së LPK-së të tregojnë se si ua ka prezantuar Gafurr Elshani 18 skicat e varianteve ideore që ia kam dorëzuar unë!
Në deklaratat e Emrush Xhemajlit dhe të Gafurr Elshanit, të transmetuara në këtë “dokumentar”, ka shumë të pavërteta, të cilat janë bërë me qëllim që t’i fshehin gjurmët e gënjeshtrës.

Të gjithë veprimtarët e kryesisë së Degës së LPK-së kanë qenë në dijeni, për kualitetet artistike të Emrush Xhemajlit, sepse kanë pasur mundësi të shohin një numër të konsiderueshëm pikturash të pikturuara prej tij. Është i çuditshëm pohimi i Gafurr Elshanit se paska shkuar deri në Shqipëri për të gjetur “një piktor që do ta bënte stemën e UÇK-së”, duke pasur brenda kryesisë Emrush Xhemajlin, i cili pas përfundimit të luftës ka qenë edhe profesor universitar i lëndës pikturë, në drejtimin dizajn-grafik, në kuadër të Fakultetit të Arteve Figurative të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Përveç gënjeshtrës se gjoja edhe ai ka qenë i pranishëm në bisedat që kam pasur me Gafurr Elshanin, deklarata e Emrush Xhemajlit se gjoja “kanë ardhur në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës” pasi aty ka pasur kushte për një punë grafike” është manipulim i nivelit tepër të ulët.

Të gjithë ata që kanë njohuri për mënyrën si bëhet dizajnimi i një embleme, logoje apo të ndonjë vepre tjetër të kësaj natyre, e dinë që për një punë të tillë është e mjaftueshme të kesh një kompjuter, programin për grafikë dhe eventualisht ndonjë printer për të parë rezultatin e punës finale. Sikur çështja e dizajnimit të emblemës të UÇK-së të kishte vetëm aspekt teknik, Emrush Xhemajli ka pasur kompjuter me të gjitha programet e nevojshme dhe mjetet përcjellëse, shumë përpara se një gjë të tillë të kishin anëtarët e tjerë të kryesisë apo të redaksisë. Për këtë ka poseduar edhe përvojën e njohuritë e mjaftueshme kompjuterike. Bile, është publik fakti se për shkak të njohurive të mëdha në këtë fushë, gjatë luftës në Kosovë, ai e kishte pseudonimin “Kompjuteri”.

Banalizimi i punës sime, duke e prezantuar si çështje teknike, ka për qëllim të fshehin të vërtetën se unë kam dhënë idenë për domosdoshmërinë e krijimit të emblemës së UÇK-së, përgatitjen e skicave të 18 varianteve që janë shtruar në kryesinë e Degës së LPK-së dhe përgatitjen e varianteve përfundimtare të atyre që janë bërë simbole zyrtare identifikuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vërtet nuk e kuptoj përse janë mobilizuar ish-veprimtarë të LPK-së për të përvetësuar punën e të tjerëve dhe të shtrembërojnë të vërtetën. Një gjë është e sigurt: as ideja e emblemës, as skicat ideore dhe as miratimi që të jenë simbole zyrtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk do të kishin asnjë vlerë pa gjakun e pastër të atyre luftëtarëve të lirisë që i dhanë kuptimin e mirëfilltë sakrificës sonë kombëtare për liri dhe pavarësi!
Unë kam qenë i nderuar që më është dhënë besimi që të krijoj emblemën në fjalë. Mirëpo vetëm atyre u takon përjetësia dhe meritat!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një deklaratë interesante…