DOKUMENTE INKRIMINUESE TË ONDSh-së

25 nëntor 2018 | 12:23

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

(Procesi gjyqësor i Prizrenit më 1946 sipas dokumenteve të gjykatave ish-jugosllave. Para trupit gjykues dolën 34 patriotë të cilëve gjyqi ua shqiptoi dënimet: gjashtë veta i dënoi me pushkatim, të tjerët me vite të shumta burg) /30/

(Sqarim: Shkrimi në vazhdim botohet pa i bërë redakturë gjuhësore pasi është i shkruar si në dokumentet origjinale)

Se e pandehura Luqija Bashota, ka qenë anëtare dhe sekretare e komitetit të lartpërmendur dhe njëherit Bashkimit të Rinis Komuniste Jugosllave,se ka bërë mbledhjen e armëve dhe materialit tjetër për bandat në mal, dhe gjykata ia ka marrë si shkaqe lehtësire pohimin e saj, pendimin e saj dhe rrethanat se si e re është mashtruar dhe ka hyrë në organizatën ilegale, me që rast e ka dënuar me dënimin e humbjes së lirisë, punë të detyrueshme me vazhdim prej një viti.

Se e pandehura Roza Mjeda ka qenë anëtare e komitetit të lartpërmendur dhe njëkohësisht ka qenë në SKOJ, si anëtare e komitetit ka mbledhë material për bandat dhe gjykata duke ia marr si shkaqe lehtësire pohimin se është penduar për veprën e saj në komitet dhe faktin se si e re është mashtruar e ka hyrë në komitetin e lartpërmendur, e dënon me humbjen e lirisë, me punë të detyrueshme në vazhdim prej një viti.

Se e pandehura Nasibe Zhuri ka qenë anëtare dhe arkëtare e organizatës së lartpërmendur ilegale, ka punuar në mbledhjen e materialit, gjykata duke e marrë parasysh si shkak lehtësues pohimin e saj, pendimin e saj, përpjekjet e saja që çështja të sqarohet, dhe faktin se si e re ka rënë në influencën e vëllait të vet, dhe se prej dashurisë që kishte për të ka hyrë në organizatën ilegale, që me anë të kësaj rruge të ndihmonte materialisht, gjykata e ka ndëshkuar me humbjen e lirisë, me punë të detyrueshme për një vit, ndëshkimi i cili është kondicional dhe i pezullueshëm për një vit, duke konsideruar se ky dënim është i mjaftueshëm që të ndikoj në të pozitivisht dhe që të përmirësohet, kështu që në të ardhmen mos të mbahet në kryerjen e kësi lloj fajesh.

Se e pandehura Roza Cuki, ka qenë anëtare e komitetit, nuk ka qenë aktive në punë, detyrën e ngarkuar për mbledhjen e materialit nuk e ka kryer plotësisht, andaj Gjykata duke marrë parasysh si rrethana lehtësuese pohimin dhe pendimin, e dënon me një vit të humbjes së lirisë, me punë të detyrueshme,ndëshkimi i cili është kondicional dhe i pezullueshëm për një vit ,dhe duke konsideruar se ky ndëshkim është i mjaftueshëm që të jetë shkaktar pozitiv dhe përmirësues.

Gjykata nuk mundet të konstatojë se të pandehurat Qiqile Krasniqi, Mrika Gjoka,Mane Shyti kam bërë pjesë dhe kanë qenë anëtare të komitetit ilegal të lartpërmendur, as për atë që kanë punuar ndonjë gjë.

Gjykata konstaton se të pandehurat Qiqilija, Manja dhe Mrika kanë qenë të mashtruara nga ana e të pandehurave të lartpërmendura dhe se në mënyrë mashtruese kanë qenë vetëm në një mbledhje, dhe pas kësaj më nuk janë interesuar, por përkundrazi kanë refuzuar çdo bashkëpunim dhe pjesëmarrje mbi veprimet e organizatës ilegale.

Nga këto fakte konstatuese, gjykata nuk ka mundur të vërtetoj që në veprimet e të pandehurave Mane, Mrika e Qiqilija të ekzistojë faji që u ngarkohet në Pretencë.

Duke marrë parasysh për këto sa u tha, gjykata të pandehurat Mane, Mrika e Qiqilija i liron nga akuza. Në bazë të të gjithave sa u parashtruan u vendos si në iapozitivin e këtij aktgjykimi.

Gjykuar në Gjykatën Popullore të Krahinës për Kosmet në Prizren, më datë 23 Tetor 1945.

Sekretari; M. Biqoku, kryetari; Hivzi Sylejmani

Dokumente inkriminuese të ONDSH-së, instruksionet kryesore të komitetit qendror

Pasi se shumë të arrestuar akuzohen për shkak se kishin formuluar dhe shpërndar në komitete të rretheve shkresën “Instrukcione kryesore”, po e prezantojë se çfarë thuhej në të.

Pika e I. Ishte mbledhja e të gjitha shënimeve të vrarëve në të gjitha rrethet me komuna dhe katunde, emnin dhe biemërin, nga është personi dhe çfarë moshe kishte.

  1. Ilegalistat kishin marr për detyrë që të formonin një Këshillë të ngusht prej 6-7 vetave të cilët do të ngarkoheshin me detyra që duhet dhe mund t’i kryejn.

III. Duhet të përgatisin dhe të pranonin parulla si prej Qendrave të Komunave poashtu edhe prej fshatrave për çdo ngjarje që ka ndodhë, dhe me këto informata duhet filluar menjëherë dhe anasjelltas.

a). Asnjë detyrë apo aksion nuk duhet të bëhet nga ana e anëtarëve që veprojnë në fshatë pa djen e anëtarëve të komitetit të komunës, se ky komitet më parë duhet vu në dijeni qendrën për të dhënë pëlqimin.

b). Kurrëfar lëvizje nuk guxon të bëhet pa urdhërat e marruna prej qendrës së rrethit, ku qendra e rrethir vazhdimisht ka me qenë në lidhje me lëvizjen që ndodhet jashtë, gjithashtu lëvizja që vepron jashtë nuk guxon të ndërmarr ndonjë aksion, por duhet të rrijë e gatshme dhe në pritje.

c). Lajmet dhe çdo gjë tjetër duhet të vihen në dijeni në Qendrën e rrethit, në qoftëse ky qëndrim nuk mund të kryhet nga burrat për hirë të situatës së krijuar, duhet angazhuar edhe gratë të cilat janë anëtare të NDSH-së, apo të besueshme të lëvizjes.

Ç). Çdo forcë që ndodhet jashtë, në terren duhet të jetë e mvarun prej një përgjegjësi (komandanti), ku mandej prej aty mund të jenë të ndara në Toga dhe në Çeta. Gjithashtu edhe Qendra ka me qenë e lidhur drejtpërdrejt me Komanden.

Në këtë rast mund të përjashtohen rastet e jashtëzakonshme që mund tiu ndodhin togave ose qetave që nuk kanë me mujt me marrë urdhëra apo shenjën e largimit, në këtë rast ata duhet të veproj sipas mendimit të tyre, domethënë të rrethimit nga armiku e tjera raste. Por gjithën duke e pasur parasysh, kuptohet sipas mundësive mbas një apo dy ditësh duhet me e lajmërua qendrën se ku ndodhen.

Gjithashtu çdo nevojë që kanë me pas si ushqime e të tjera duhet të kërkojnë nga komitetet komunale, aty ku ndodhen, që kështu çdo ndihmë me ju shkua duhet ditur komanda.. Rreptësisht ishte e ndaluar, se asnjë marrëveshje nuk mund të bëhej me drazhistat, apo me komunistat që shtiren si drazhista, të cilët donë të hynë në radhët tona, për me e marr vesh dhe me e zbulua qëllimin e lëvizjes sonë. Dihej se pushteti ishte shumë i interesuar që të kishte të dhëna për fuqin dhe forcën e lëvizjes, ngase në një mënyrë ia kishte frikën kësaj. Në rast se bëhej ndonjë kërkes nga ana e tyre, duhet urgjentisht lajmruar qendrën, e Qendra ka me njoftua më lartë. Qendra F. Ngarkohet për të qenë në lidhje me pikat e sipërpërmendura me G.K. e P. (Gilanin, Kaçanikun, e Prishtinën, shënim i SK-B). Prishtina duhet të hyjë në kontakt me Prizrenin, dhe poashtu duhet të hyjn në kontakt me Po e L. Pikat e mësipërme duhet të lajmërohen e të dërgohen në qendrën e Prizrenit, dhe nga kjo qendër ka me u dërgua shifra dhe emërat që kanë me u këmbya të ngarkuemëve të besuarit e qendrave tona duhet të vihen në kontakt me përgjigjësat e Partisë komuniste, që prej tyre me mund me përfitua çdo gjë që do të jetë në favorin tonë dhe ato që munden me qenë në damin tonë. Çdo qender duhet të bëjë një listë e të gjithë spiunëve shqiptar dhe të atyre serbë që kanë masakrua dhe masakrojne shqiptar.

Në dokumentin që është origjinal, porse organete hetuesisë e kanë përkthyer edhe në gjuhen serbe, në origjinal nuk figuron asnjë emër, ndërsa në ate serbisht është i vendosur emëri i Tahir Dedës.

Letra e Rifat Krasniqit, dokumenti tjetër inkriminues

Letra e cila i mveshet se e ka shkruar Rifat Krasniqi, sipas “arsyetimit” që e jep Ali Shukrija, si prokuror publik i Kosovës. Letra është e shkruar me 6 prill 1945, në Rahovec. Ajo fillon me këtë fjali:

I dashtuni vëlla,

Më ka rënë për detyr qe të takohem me këtë njeri, me të cilin po ta dërgoi këtë letër, dhe njëkohësisht po të lajmërojë për situatën e këtushme.

Besojë qe edhe ju jeni të interesuam me shpejtësin sikurse neve. Nuk kuptojë se si deri më tash nuk kemi mujtë me bamun asgjë. Detyrë e çdo shqiptari është që të luftojë për tokën tonë shqiptare dhe për flamurin tonë, dhe për këto pika na kemi fillue me punue qysh me kohë.

Përveç që mundemi me ju lajmërue dhe me ju diftue gjerë e gjatë mbi bashk-punuasat tanë si dhe mbi organizatën tënë, por më pak fjalë po ju lajmërojm se si duhet me punue për lirinë e Kosovës sonë të robënueme nën thundrën e popullit Jugosllav.

Pika kryesore e organizatës është qe te formoni Komitetin Nacional Demokratik ne çdo komunë. Në këtë komitet duhet të hyjn njerëzit më të besueshem prej të cilëve njëri mbetet si kryetar me disa anëtar këshilltar dhe me një sekretar. Çdo kush prej komitetit të ketë lidhje dhe të lidhet me të tjerë të njohur; dhe keta përsëri të lidhen me të tjerë të besueshem, kështu qe secili prej tyre qe bëjnë lidhjen nuk do të dijnë njerëzit, me të cilët janë në lidhje.

Heren e parë duhet me formue Komitetet e Rretheve me njerëz të sigurt, te cilin komitet do ta pjesëtoni ne degë-seksione si përshembull: të propagandës, të financave, degën e kabotazhit dhe tjera. Personat e komitetit nuk duhet me i dijt askush, vetëm anëtarët e komitetit munden me formua shoqërin e vetë, por kjo shoqëri nuk duhet me i diftue anëtarët e komitetit.

Përpiçuni që në çdo katund të formoni komitete, por ne kujdesin më të madhë se në qoftëse do të kaloni kufirin mundeni me u diktue dhe do të bini viktima.

Propaganda për armatimin e popullit asht një nga pikat më kryesore. Sa të jetë e mundur duhet të mblidhni që të armatoset populli sa më tepër. Armet nuk është e lejueshme me ja dorëzua armikut, derisa kokën të mos e japim.Armatim bleni sa më shumë, merrni prej popullit ndihma dhe dorëzoni arkëtarit të komitetit financiar. Ndohmat me i mbledh prej njerzëve të sigurt, të cilët nuk kanë me ju diktue që janë ndihma për komitetin. Ruajunu prej kundërshtarëve tonë. Mblidhuni dhe bleni një radio me akumulator. Në qoftëse nuk na merrni vesh si duhet, atëherë na dërgoni një delegat ose dy ketu ne Komitetin e Rahovecit dhe na do iu japim udhëzime e duhuna.Te gjeni ata qe nuk janë te komprometuem dhe të dyshimt, dhe që është pak më i zgjuat.

Situata e jonë politike

Si në Rahovec ashtu edhe në Prizren, në Gjakovë dhe në çdo vend janë formue Komitetet Nacional Demokratike Shqiptare. Punët shkojnë shumë ngadalë.Lidhjet i kemi nga çdo anë e Kosovës si dhe me Shqipërin e Vjetër. Radion e kemi. Radio misioni është gati, do te fillojne bisedat me shtetet e huaja. Anglezët kanë marrë vesh për ne dhe për së shpejti në Shqipëri do të çarmatosen partizanët nga anglezët. Ushtrit e Enver Hoxhës si nga Anglezet ashtu edhe nga amerikanet nuk e kanë njoftoë as nuk e pranojn dhe do të shkatërrohet. Ne Serbi është gati kryengritja kundër Titos. Edhe na duhet të jemi gati. Politika ndërmjet Anglezve dhe amerikanëve me Ruset do te prishet, keshtu që simbas lajmeve t’ardhuna prej Turkije, keto janë ndamun, kështu që Rusija nuk ka me marrun pjesë ne San Francisko me 25 prill 1945, dhe 19 ditë do të mbahet Konferenca e Gjyqit ku do të caktohet kufijt e të gjithë popujve. Gjithashtu nuk do të jet i thirrun as Tita.

Me një fjalë të shkurtër, puna e jonë asht shumë mirë, vetëm duhet t’organizohemi dhe në kohën e caktueme te mësyem të gjithë bashku. Delegatin e juaj dërgone sa më shpejt te na, dhe këtij delegati te cilin po jua dergojmë jepni nj letër qe te dijmë se a është i dërguem prej jush. Emnat e juaj duhet ti ndërroni dhe të zavendsoni me sinonime si psh. Ne vend të Jusufit te thoni Fleta, në vend të Hasanit të thoni Shpata. Letrën qe keni me na dergje, dergone ne emnin tim ose te Lekës, leterpruesi do iu difton se kush jam unë e kush është Leka. Posten gjithashtu sa më parë të na dërgoni.

Letra përfundon me të fala të përzemërta nga Skenderbegu. Por, poashtu të fala iu dërgonte edhe Leka e Flamuri. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Mjedisit dhe ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare…