Dokumenti i “Non-Paper”-it për “distriktin autonom të Kosovës veriore”, legjitimim i spastrimit etnik të Kosovës

27 prill 2021 | 19:20

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka reaguar rreth dokumentit të publikuar si “Non-Paper”, pa autorësi, për themelimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore”.

Sherifi ka thënë se ky dokument është legjitimim i spastrimit etnik të Kosovës.

“Nëse kemi parasysh se një propozim i tillë përbën fazën paraprake të ndarjes së Kosovës dhe i jep legjitimitet politik spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në këtë pjesë të Kosovës, atëherë nuk e kemi të vështirë të konstatojmë se burimi i këtij “Non-Paper” është kuzhina luftënxitëse e Beogradit ose e qarqeve që janë ushqyer nga kjo kuzhinë”, ka shkruar Sherifi në llogarinë e vet në “Facbook”.

Postimi i plotë i Sherifit:

Dokumenti “Non-Paper” për “distriktin autonom të Kosovës Veriore”-Legjitimim i spastrimit etnik të Kosovës!

Forma e përhapjes së ideve nëpërmjet komunikimit “Non-paper”, si komunikim joformal që nuk vë përpara përgjegjësisë askënd, është formë e njohur e përgatitjes së terrenit për të futur në diskutimin publik një çështje për të cilën askush nuk ka guxim ta mbështesë haptas në momentin e shpërndarjes së saj.

Në vazhdën e terrorit psikologjik për ndarjen e Kosovës, në hapësirën mediatike u lëshua në qarkullim një “Non-Paper”, pa autorësi, për themelimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore”.

Nëse kemi parasysh se një propozim i tillë përbën fazën paraprake të ndarjes së Kosovës dhe i jep legjitimitet politik spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në këtë pjesë të Kosovës, atëherë nuk e kemi të vështirë të konstatojmë se burimi i këtij “Non-Paper” është kuzhina luftënxitëse e Beogradit ose e qarqeve që janë ushqyer nga kjo kuzhinë.

Është moment kritik kur duhet të reagojmë në mënyrë energjike si institucione shtetërore dhe si shoqëri përballë rrezikut që i kanoset Kosovës dhe nëpërmjet një “white paper” t’i nxjerrim të gjitha të zezat që përgatiten për paqen dhe stabilitetin e kësaj pjese të Evropës Juglindore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…