Doli nga shtypi libri i Pal Ndrecajt
Libri më i ri i shkrimtarit Pal Ndrecaj, “Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë”, ka dalë nga shtypi nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”.
Sipas recensentit të librit, Arben Prendi, vëllimi poetik “Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë” “ka për bazë poetizimin e gjendjeve metafizike komplekse, ku ndërthuren përjetimet e thella subjektive me filozofinë e njeriut bashkëkohor, pjesë e së cilës janë kërkesa për artin poetik, lidhja me atdheun në kohët moderne, pesha e rëndë e situatave absurde dhe e palumturisë se një bote në udhëkryqe. Ligjërimi i kësaj poezie manifeston veçori të ligjërimit narrativ, gjithsesi një narrativë poetike ku çlirohet reflektimi i gjithanshëm i poetit që jeton në botë”.
Ndërkaq studiuesi Ndue Ukaj për këtë libër ka shkruar: “Ky libër është një përmbledhje poetike e pasur tematikisht dhe artistikisht, ku poeti shkruan për tensionet e jetës së njeriut që ngarend ta gjejë universin e vet në një botë ku terri nuk perëndon lehtë. Dhe këtë dramë e shpreh në vargun: “E keqja në vjersha është për me e ndjekë të keqen në jetë”, varg ky esencial që shpreh timbrin e kësaj poezie dhe udhëtimin imagjinar nëpër të cilën eksplorohet universi poetik. Në këtë univers, të lashtë e të ri, poeti ka aftësi krijuese për t’u endur në botën e ndijimit dhe perceptimit, me intuitën dhe grindjet, që përplasjet personale dhe përvojat kulturore t’i kthejë në ndijime dhe perceptime të figurshme”.
Shënime për autorin
Autori Pal Ndrecaj ka lindur më 1960 në fshatin Moglicë të Gjakovës. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka botuar librat “Lule mbi plagë”, poezi; “Akti i krijimit”, poezi; “Lista e zezë”, roman. Jeton në Nju Jork.
Poezi nga libri i sapobotuar
NË KUJTIM TË NJË MËRGIMTARI TË VDEKUR N’KOHË PASHKËSH
Shqiptarët dinë me jetu kudo
por me vdekë dinë veç n’atdhe
Kam nji borxh për t’la thonë
Meqë e kanë provu nji natë varri n’vend t’tyre
nuk i frikësohen tjetrës
kthehen me peshu randë n’vend t’vet
si me kanë tue shku
me bâ Pashkë e Bajram
VAJZA SIRIANE IA MBYLL SYTË KUKULLËS…
Ka frikë kukulla ime zemërthyeme
ndaj ia mbyll sytë me gishta të dorës
ca gishta të tjerë të punëve të përlyeme
po thurin rrjetin e jonjerëzores
Këta sy që po shuhen janë qielli juaj e moti
ata që po hapen janë sytë e mëdhenj të frikës
njerëz botën s’e dënuan as Djalli as Zoti
e dënuat ju nga mungesa e etikës
Vonë dikur sytë tanë në yje kanë me u shfaqë
si grishje për dashni si dorë e pajtimit
është ofertë kozmike për liri e paqe
bëjeni fe të vetme të krejt njerëzimit
Këta sy që po shuhen janë qielli juaj e moti
ata që po hapen janë sytë e mëdhenj të frikës
njerëz botën s’e dënuan as Djalli as Zoti
e dënuat ju nga mungesa e etikës
POPULLI
Populli pret nesër me u bâ mirë
prandaj ai nuk i beson ç’sheh sot
ai beson ç’i thonë se ka me u bâ nesër
Populli e ka nda mendjen
nesër me qenë i lumtur
jo sot
sot është shumë shpejt
ai nuk do një lumturi turr e vrap
Populli largpamës