Doli nga shtypi libri “Një rilindës dijeplotë – Agim Vinca” i autorit Faik Shkodra
Këto ditë doli nga shtypi libri “Një rilindës dijeplotë – Agim Vinca” i autorit Faik Shkodra.
Sipas redaktorit të këtij libri, Fran Ukcama, “Faik Shkodra, ka dëshmuar se është nga lavërtarët më të zellshëm, më seriozë, më të aftë, t’u përcjellë lexuesve, profesionistë pedagogë, mësues, studentë, vlerat krijuese të shumë korifenjve artorë”, e kësaj radhe na solli “jetëshkrimin artistik” të Agim Vincës.
“Në këtë jetëshkrim artistik, krijues, ndryshe nga biografitë e rëndomta që hasim shpesh në botime të të tjerëve, Profesor Vinca, si krijues, poet brilant, shkrimtar i spikatur, studiues dhe referues ciceronian i letërsisë shqipe dhe botërore, na shfaqet me dimensione të mahnitshme nga pena virtuoze e Faik Shkodrës”, shkruan redaktori, Fran Ukcama.
Ndërsa sipas recensuesit, Hysen Matoshit, “Agim Vinca poet, kritik letrar, historian i letërsisë shqipe, publicist, përkthyes, pedagog, intelektual me prurje të shumta dhe të shumanshme në kulturën shqiptare, është fokusi shkrimor i radhës i Faik Shkodrës.”
“Interesimet e tij të vazhdueshme për krijimtarinë e Agim Vincës, për atë që e përbën portretin e tij si intelektual, si poet, si dijetar dhe si njeri me angazhime të qarta shoqërore e kombëtare, ka zënë fill mjaft herët. Janë të shumta shkrimet që trajtojnë këto aspekte, kuptohet gjithnjë duke mbajtur kryet e vendit krijimtaria poetike në interesimet e tij. Prandaj, mund të themi se kjo vepër nuk është produkt i një faze të vetme të punës së Faik Shkodrës, ose i një projekti që realizohet brenda një kornize të shkurtër kohore.
Përkundrazi, është vepër e shkruar për një kohë më të gjatë dhe gjithsesi është edhe rezultat i konteksteve të ndryshme vlerësimore e kronologjike që shoqërojnë veprën dhe veprimtarinë e Agim Vincës”, shkroi recensuesi, Hysen Matoshi.
Librin “Një rilindës dijeplotë – Agim Vinca” e autorit Faik Shkodra e ka botuar SHB “Drita Press”, Prishtinë.