Domenicali: Formula 1 do ta ndjekë modelin e NBA-së
Stefano Domenicali, ish-drejtori sportiv i Ferrarit, ka një plan të qartë se si do të ndryshojë këtë sport, për ta bërë atë më tërheqës dhe për t’i kaluar vështirësitë e pandemisë Covid-19.
“Formula 1 duhet të dalë mbi vështirësitë, duhet të ofrojë një sfidë teknologjike të dominuar nga pilotët-heronj, që përfaqësojnë vlera universale dhe që janë të pëlqyer nga të gjithë”, ka thënë Domenicali për mediat italiane. Ai pranoi se Formula 1 do ta imitojë modelin e ofruar nga NBA-ja, duke e bërë sportin e automobilizimit një miks mes ekipesh legjendare dhe pilotësh kampionë.
“E njoh komisionarin e NBA-së, Adam Silver dhe së shpejti do të takohem me të për t’i ndarë idetë. Dhe jo vetëm me atë. Duhet ta tërheqim vëmendjen e publikut, duke korrigjuar disi formatin. Do të aplikojmë të shtunën garat sprint, që do ta përcaktojnë startin e garës së të dielës”, ka shtuar Domenicali.