Dominic Raab do t’i udhëheqë negociatat për Brexit-in
Dominic Raab është emëruar sekretar i Brexit-it nga kryeministrja britanike, Theresa May.
Raab do të pasojë David Davis, i cili ka dhënë dorëheqje nga posti, të dielën vonë.
Raab, i cili ka qenë avokat përpara se të bëhej deputet në vitin 2010, do të udhëheqë negociatat për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, së bashku me kryenegociatorin e BE-së, Michel Barnier.
Davis ka thënë se nuk mund të qëndronte më në postin e tij, sepse nuk besonte në planin për marrëdhëniet e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me BE-në, i cili është mbështetur nga kabineti britanik, të premten.
Komisioni Evropian ka refuzuar të komentojë ndërrimin e ministrit britanik, duke thënë se do të vazhdojë të negociojë me “vullnet të mirë” për të siguruar marrëveshjen mbi kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja dhe marrëdhëniet e ardhshme.