Dominique Moisi: Lufta e imazheve që po ndez edhe Perëndimin

20 tetor 2023 | 08:45

“Është bërë edhe një luftë fjalësh dhe imazhesh që do të rëndojnë në evolucionin e konfliktit”. Dominique Moïsi, këshilltar special i Institut Montaigne, djali i një të mbijetuari të Aushvicit, punoi përkrah protagonistëve të marrëveshjeve të Oslos, për të cilat zhvilloi negociata sekrete. Beteja propagandistike rreth masakrës së spitalit të Gazës është pjesë e një mekanizmi që Moïsi e analizoi para të tjerëve në esenë e tij të famshme, “Gjeopolitika e emocioneve”, e përkthyer në njëzet e gjashtë vende.

Beteja e imazheve sapo ka filluar, si të orientohemi?

“Në fillim të luftës në Ukrainë, shkrova se ajo reflektonte divorcin emocional të botës. Perëndimi ishte i bashkuar pas Ukrainës, me pak përjashtime, ndërsa Jugu Global u distancua nga Perëndimi. Ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme, në një nivel emocional, është lufta në Ukrainë në kulmin e saj. Ndodh sepse ka një konflikt kujtese. Nga njëra anë, më 7 tetor komuniteti hebre përjetoi një pogrom të përgjakshëm dhe barbar, në vetë tokën e Izraelit. Dhe nga ana tjetër, ka komunitete myslimane që ripërjetojnë ndjesinë se jeta palestineze ka më pak rëndësi se e të tjerëve. Nga çdo anë, ka një përpjekje për të çliruar emocionet.”

A rrezikon kjo “mjegull lufte” të minojë mbështetjen e Perëndimit për Izraelin?

“Dilema e Izraelit sot është të rivendosë besueshmërinë e tij strategjike, pa u izoluar plotësisht. Izraelitët janë të vetëdijshëm se mbështetja perëndimore është e fortë, por që mund të luhatet edhe në betejën e imazheve. Izraeli po përpiqet të kufizojë sa më shumë viktimat kolaterale, ndryshe nga Hamasi i cili u kërkon banorëve të qëndrojnë për të shumëfishuar numrin e viktimave, duke i përdorur në fakt si armë propagande dhe më konkretisht si mburoja njerëzore”.

A ka ndonjë alternativë ndaj operacionit ushtarak në Gaza?

“Jo. Hamasi duhet të pësojë një disfatë masive, si ISIS apo Al Kaeda. Për Izraelin është çështje mbijetese. Megjithatë, ka dy dilema. E para është se si t’i përgjigjemi traumës pa harruar mësimet e së kaluarës. Po mendoj për Amerikën, për reagimin e tepruar ushtarak pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Dilema tjetër është koha: sa më i gjatë të jetë operacioni në Gaza, aq më shumë Izraeli do të izolohet në sytë e opinionit publik botëror. Nuk mendoj se një sulm i shpejtë është i mundur tani. Izraeli do ta fitojë këtë luftë ushtarakisht, por mund të jetë një fitore si e Pirros, me një disfatë politike dhe me frikën e sulmeve anti-hebreje në vende të tjera. Ekziston rreziku i izraelizimit të shoqërive evropiane, me idenë se do të duhet të jetojmë nën hijen e terrorizmit”.

Si të shpëtojmë nga kurthi i ngritur nga Hamasi?

“Është jashtëzakonisht e vështirë. Mesazhi i Hamasit për izraelitët është “Më urre!”. Dhe është shumë e vështirë të mos urresh. Të vjen në mendje formula e përdorur nga Yitzhak Rabini, në fillim të viteve 1990: ne duhet të vazhdojmë negociatat e paqes sikur terroristët të mos ekzistonin. Ne duhet të luftojmë terrorizmin sikur të mos ekzistonin negociatat e paqes. A është i aftë Izraeli ta bëjë këtë?”

Duket se keni dyshime.

“Hamasi do të shkatërrohet. Por Hamasi i mundur ndoshta do t’i ketë arritur objektivat e tij, që janë të bëjë të pamundur çdo afrim midis izraelitëve dhe palestinezëve, me çdo kusht.

Nuk do normalizim mes arabëve dhe izraelitëve, dhe do që ta shtyjë Izraelin drejt radikalizimit edhe më të madh. Unë e shoh 7 tetorin si fillimin e luftës së pestë të Izraelit. Ishte viti 1948, lufta e pavarësisë, pastaj Suezi (1956), Lufta Gjashtë Ditore (1967), Lufta e Yom Kipurit (1973) dhe tani është lufta në Gaza, por që mund të shpërthejë në frontin verior ose në territoret e pushtuara”.

A keni frikë se Hezbollahu do të hapë një front verior?

“Aeroplan-mbajtësja amerikane dhe luftanijet britanike që mbërrijnë në Lindjen e Mesme shërbejnë për të bindur Iranin që të mos shkojë në luftë. Ekspertët ushtarakë thonë se Hezbollahu preferon të ruajë pushtetin e tij në Liban, në vend që ta rrezikojë atë në një luftë kundër Izraelit. Nuk jam i sigurt. Unë mendoj se tundimi për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve të Hamasit do të jetë i fortë. Do të ketë presion të madh për shkak të imazheve që do të qarkullojnë për ndërhyrjen e armatosur në Gaza”. / bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Terroristët që kryen masakrën në jug të Izraelit gjatë sulmit…