Domosdoshmëria e reformës zgjedhore në Kosovë!
Shkruan: Burim Gjaka
Duke qenë vetëm 7 ditë pas zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe duke parë problemet që po shkaktohen vazhdimisht në krijimin e institucioneve qendrore dhe lokale është domosdoshmëri e kohës që të bëhet një reformë e thellë e sistemit zgjedhor në Kosovë, më të vetmin qëllim ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe lehtësimin për t’i krijuar sa më shpejtë institucionet si dhe për të qenë sa më kredibile ato institucione. Kjo reformë do të duhej të fillonte pas një debati të gjerë me ekspertë dhe qytetarë të niveleve të ndryshme për të ardhur deri te një ndryshim i ligjit mbi zgjedhjet në Kosovë, i cili do të duhej të votohej në Kuvendin e Kosovës.
Parimisht konsideroj se do të duhej të ndryshonte forma e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe ndryshimi do të duhej të saktësonte se zgjedhja e presidentit do të bëhej nga qytetarët dhe assesi nga Kuvendi. Ky ndryshim do të ishte shumë i rëndësishëm ngase do të ndalonte pazaret mes partive politike dhe do të prodhonte një President llogaridhënës, të suksesshëm dhe që përfaqëson realisht unitetin e qytetarëve të vendit. Një zgjedhje e tillë do të mundësonte që President/e të zgjidhej ndonjë personalitet i dëshmuar me merita dhe kredibilitet, i cili do të ishte i lirë ta ushtroj detyrën e tij/saj pa presione dhe imponime nga partitë dhe do të ishte shumë më i besueshëm.
Pastaj reforma zgjedhore do të duhej të përfshinte Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit do të duhej të mbetet si është tani, pra të kërkohen 61 vota për t`u zgjedhur dhe do të duhej të votohej nga deputetët e Kuvendit, arsyeja qëndron ngase ky pozicion duhet të drejtohet nga njerëz me autoritet dhe që kanë elekuencën të mbajnë klimën pozitive gjatë udhëheqjes së seancave. E drejta për ta krijuar Qeverinë automatikisht do të duhej t`i takonte forcës më të madhe politike e cila del nga zgjedhjet, por jo të detyrohej që të bëj koalicione vetëm sa për t`i bër 61 deputetë për ta votuar Qeverinë. Qeveria do të ishte mirë vetëm të prezantohej para Kuvendit dhe të konsiderohej e zgjedhur, jo të votohej sepse këtu po vonohet krijimi i institucioneve duke pritur krijimin e koalicioneve aspak parimore. Pastaj forca fituese e zgjedhjeve e vlerëson vet se a ka nevojë për koalicione ose jo. Ky ndryshim do ta shpejtonte dhe lehtësonte krijimin e Qeverisë dhe njëkohësisht do të minimizonte pazaret politike pa asnjë kriter dhe në kurriz të qytetarëve për të blerë vota për votimin e Qeverisë.
Kjo reformë do të duhej që të precizonte saktë numrin e zv.kryeministrave, ministrave dhe zv.ministrave dhe jo si tani që dëmtohet buxheti i shtetit duke bërë ministra të shumtë sa për të përmbushur apetitet e partnerëve të koalicionit. Fatkeqësisht në Qeveritë e koalicioneve të gjëra mossuksesi dhe korrupsioni “shikohet mes gishtave” kurse suksesin e marrin të gjithë mbi vete. Një rate të tilla, ku Qeveria do ta fillonte mandatin pa pasur nevojë të votohej, partia fituese do të përzgjedhtë edhe ministrat dhe zëvendësministrat shumë më të përgjegjshëm dhe kredibil ngase po ta bënte të kundërtën në mandatin tjetër do të pushonte në opozitë sepse më nuk do të mund të arsyetohej duke thënë se kemi qenë të detyruar të përzgjedhim këtë apo atë ministër.
Reforma zgjedhore duhet të vazhdoj në nivelin lokal ku parimisht do të duhej të hiqej përfundimisht balotazhi, sepse është i panevojshëm, i paarsyeshëm dhe dëmton buxhetin e vendit edhe interesin e shumicës së qytetarëve. Secili kandidatë që merr më shumë vota se kundërkandidatët në raundin e parë duhet të konsiderohet automatikisht kryetar komune. Nuk duhet të vazhdohet që forcat humbëse të zgjedhjeve gjithmonë të bëhen bashkë dhe ta mundin atë që del i pari në raundin e parë, ngase kështu kryetarët aktualë bëhen të papërgjegjshëm sepse e dinë që edhe nëse nuk dalin të parët në zgjedhje i bashkojnë forcat me të tjerët. Kemi qenë dëshmitarë që shumë kryetarë të mirë dhe të suksesshëm kanë humbur balotazhet nga bashkimi i humbësve, madje shpesh edhe duke pasur vota gati sa të gjithë bashkë. Nëse hiqet balotazhi të gjithë kandidatët do të ishin më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve e sidomos ata që janë në pushtet sepse e dinë që nëse nuk marrin shumicën në zgjedhje nuk do ta kishin mundësinë e dytë për “dallavere dhe pazare”. Eliminimi i balotazhit kursen buxhetin dhe ngrit përgjegjësinë dhe llogaridhënien në zgjedhje.
Fare në fund për të qenë kjo reformë përmbajtësore dhe e plotë do të duhej të ndryshonte edhe forma e administrimit të zgjedhjeve. Zgjedhjet do të duhej të administroheshin nga stafi i shkollave dhe të monitoruar me prezencë nga vëzhguesit e partive politike në Qendrat e Votimit.
Në ora 19:00 sapo të mbylleshin Qendrat e Votimit, satfi do të numëronte vetëm sa është numri i votave në kutitë e votimit dhe a përputhen me numrin e të nënshkruarve në listën përfundimtare të votuesve.
Pastaj do të duhej të mbylleshin kutitë dhe të dorëzoheshin në Qendra të Numërimit te Rezultateve të cilat do të monitoroheshin 24 orë me kamera. Numërimi i tyre do të bëhej nga komisionerët e partive politike me kusht që ata të kenë shkollim universitar. Trajnimi i komisionerëve dhe administratorëve të zgjedhjeve (stafi i shkollave) do të bëhej vetëm një herë dhe ata do të duhej të certifikoheshin me mandat 10 vjeçar me mundësi vazhdimi. Do të duhej që të kishte staf të trajnuar të mjaftueshëm dhe kështu do të zvogëloheshin shpenzimet do uleshin keqpërdorimet në minimum dhe do të ngritej niveli i profesionalizmit dhe përgjegjësisë.
Kjo është e domosdoshme prandaj sa më herët aq më mirë!