DOMOSDOSHMËRIA E UNITETIT, PAS ZGJEDHJEVE TË 9 SHKURTIT 2025

13 shkurt 2025 | 21:41

Fatmir Lekaj

Rrugëtimi i Kosovës drejtë lirisë dhe pavarësisë, është histori e lavdisë dhe e suksesit me plotë sakrifica dhe përpjekje të pandalshme. Megjithëkëtë, gjatë këtij rrugëtimi, në aspektin politik, përveç meritave kanë ndodhur kryesisht edhe 3 gabime të elitës politike të Kosovës, në kuptimin se ky rrugëtim do të mund të ishte edhe më i suksesshëm sikur të evitoheshin këto gabime. Rrjedhimisht pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, elita politike e Kosovës është para një testi të madh moral, patriotik, politik dhe historik, dhe mund të ngadhënjej vetëm nëse ka mësuar nga 3 gabimet e së kaluarës :

1.Elita politike e Kosovës nuk bashkëpunoj mjaftueshëm gjatë fundviteve 90`, dhe rrjedhimisht (megjithë përpjekjet politike dhe sidomos sakrificat e luftës çlirimtare për çlirimin e Kosovës), një pjesë e Veriut të Kosovës mbeti nën okupim dhe nuk u arrit të unifikohet krejtësisht me pjesën tjetër të vendit.

2.Elita politike e Kosovës nuk bashkëpunoj mjaftueshëm pas Konferencës së Rambujesë dhe çlirimit përfundimtar të Kosovës, dhe rrjedhimisht (megjithë përpjekjet për pavarësimin e Kosovës), nuk u arrit të shpallet pavarësia e Kosovës më herët dhe rezultuam me pavarësinë e Martti Ahtisaarit, i cili nuk duhet të fajësohet ngase arriti të bën zgjidhjen më të mirë të mundshme në kuadër të kontekstit politik të Kosovës së pas luftës.

3.Elita politike e Kosovës nuk bashkëpunoj mjaftueshëm, pasiqë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në korrik të vitit 2010, konstatoi se Pavarësia e Kosovës është e ligjshme dhe jo në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare. Rrjedhimisht rezultuam me asociacionin e komunave me shumicë serbe, që i hapi rrugën regjimit të Beogradit për insistimin drejt një de-facto republike serbe në Kosovë.

Tani pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, është momentumi i fundit (duke i marr parasysh edhe aspektet gjeopolitike), që elita politike e Kosovës të bashkëpunoj si duhet për të formu një Qeveri të Unitetit dhe për të marr përgjegjësinë morale dhe politike për të mirën e Kosovës përtej interesave partiake  (të korrigjohet bashkërisht çfarë mund të korrigjohet  pa i hedh faje njëri tjetrit dhe të mos ngec procesi i shtetndërtimit të Kosovës).  Në këtë vazhdë, uniteti dhe pragmatizmi në politikën e jashtme të Kosovës është i një rëndësie të veçantë, sidomos në raport me SHBA-të. Nëse elita politike e Kosovës nuk është mbushur mend ende dhe sidomos nëse për ego personale nuk reflekton mjaftueshëm edhe tani, do ti mallkojnë varret e heronjve dhe dëshmorëve.  Ngase të gabosh është njerëzore, por të mos mësosh nga gabimet dhe të përsëritësh gabimet sidomos në cilësinë e përfaqësuesit të popullit, është e pafalshme. Dhe mos të harrojmë postulatin e Hasan Prishtinës: “Para se gjithash ruhuni nga mallkimi i historisë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një përplasje e ashpër është zhvilluar në “Politiko” në mes…