Donald Trump paralajmëron rishikimin e masave: Masat e izolimit mund të na shkatërrojnë shtetin
Presidenti i SHBA, Donald Trump deklaron se masat e ashpra për izolimin dhe mbylljen e bizneseve mund të kenë pasoja të rënda për shtetin dhe ekonominë. Ai ka mbrojtur vendimin e tij për masa më të lehta izolimi në Shtetet e Bashkuara për koronavirusin dhe ka deklaruar se do të rishikojë një pjesë prej tyre.
“Shumë njerëz pajtohen me mua. Shteti ynë nuk është krijuar për t’u mbyllur. Mund të shkatërroni shtetin në këtë mënyrë, duke e mbyllur atë”, ka thënë ai për kanalin Fox News.
Trump ka thënë se duke filluar nga java e ardhshme ai do të analizojë nëse do të heqë masat për distancimin shoqëror dhe karantinën në mënyrë që ekonomia të kthehet në rrugën e vet.
“Ne nuk mund të humbim Boeing, ne nuk mund të humbim kompani të tilla. Nëse humbim këto kompani, ne po flasim për qindra mijëra, miliona vende të punës”, ka thënë Trump.
Deri më tani në Shtetet e Bashkuara janë mbi 46,000 njerëz të infektuar dhe 610 të vdekur me koronavirus.