Donald Trump urdhëron shpërbërjen e agjensisë që mbikëqyr dy media që operojnë edhe në Kosovë

15 mars 2025 | 21:17

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar shpërbërjen e shtatë zyrave qeveritare, përfshirë edhe atë që mbikëqyr Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë.

Ky vendim është marrë si pjesë e misionit të tij për të ulur numrin e punëtorëve në qeverinë federale, shkruan Paparaci, transmeton Periskopi.

Urdhri i nënshkruar në orët e vona të 14 marsit, shënjestron edhe agjenci që merren me të pastrehët, mosmarrëveshjet në punë dhe zhvillimin e komunitetit.

“Brenda shtatë ditëve prej datës së këtij urdhri, kreu i secilit entitet qeveritar që është renditur [në urdhër] duhet t’ia dorëzojë një raport drejtorit të Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, për të konfirmuar zbatimin e plotë të këtij vendimi dhe të sqarojë se cilët komponentë apo funksione të njësive qeveritare – nëse ka të tillë – kërkohen me ligj dhe në çfarë shkalle”, është thënë në urdhër.

Disa orë pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, mediat publikuan një letër nga USAGM-ja, ku thuhej se granti i miratuar nga Kongresi për financimin e Radios Evropa e Lirë, është ndërprerë.

Letra u nënshkrua nga Kari Lake, e cila u vetënënshkrua si këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së shefit ekzekutiv të USAGM-së, me autoritete të deleguara prej tij.

Lake është nominuar nga Trump për të marrë postin e udhëheqëses së Zërit të Amerikës, megjithëse emërimi i saj duhet të miratohet nga Bordi Këshillimor i Transmetimeve Ndërkombëtare.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u kërkoi udhëheqësve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara që ta mbrojnë USAGM-në nga urdhri i Trumpit.

Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare e SHBA-së që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milionë njerëz në baza javore.

Buxheti që ka kërkuar kjo agjenci për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen mediat sikurse Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Përgjatë mandatit të parë, Trump – i cili ka marrë një mori vendimesh për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare prej kur ka nisur mandatin e dytë në janar – e ka kritikuar USAGM-in lidhur me pavarësinë editoriale dhe drejtimin që u është dhënë programeve.

Ai i ka përsëritur këto shqetësime edhe pasi ka nisur mandatin e dytë. Mbështetësit e transmetueseve, në anën tjetër, vlerësojnë se ata janë mjet i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.

Përveç USAGM-it, urdhri shënjestrën edhe Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit, Qendrën kërkimore ndërkombëtare Woodrow Wilson në Institutin Smithsonian, Institutin për Shërbime të Muzeut dhe Bibliotekës, Këshillin Ndërinstitucional të Shteteve të Bashkuara për të Pastrehët, Fondin e Institucioneve Financiare për Zhvillimin e Komunitetit, dhe Agjencinë për Zhvillimin e Biznesit të Minoriteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka falënderuar të gjithë qytetarët…