Donald Trumpi bëhet ish-presidenti i parë amerikan që i bëhet foto nga burgu
Donald Trump u dorëzua të enjten në mbrëmje tek autoritetet e Xhorxhias për t’u përballur me akuzat për përpjekjet për përmbysjen e zgjedhjeve të vitit 2020 në atë shtet, një proces që zgjati vetëm 20 minuta dhe që përfshiu një element historik: fotografimin për herë të parë nga policia të një ish-presidenti amerikan si i dyshuar.
Ish-presidenti u la i lirë kundrejt një garancie prej 200,000 dollarësh dhe u kthye në aeroport për t’u rikthyer në Nju Xhersi, ku ai ka një nga rezidencat e tij, raporton VOA.
Përpara se të hipte në avionin e tij privat në aeroportin Hartsfield-Jackson të Atlantës pas procedurës së dorëzimit, ish-presidenti Trump përsëriti pretendimin e tij se prokuroria në Xhorxhia – ashtu si prokurorët në paditë e tjera me të cilat ai përballet – është e motivuar politikisht.
“Ajo që po ndodh këtu është një farsë e sistemit të drejtësisë”, u tha ai gazetarëve. “Nuk kam bërë asgjë të gabuar dhe të gjithë e dinë këtë”.
Dorëzimi i ish-presidentit Trump tek autoritetet e zbatimit të ligjit është bërë tashmë një pamje e zakonshme. Është hera e katërt që ndaj tij ngrihet një aktpadi, diçka e pashembullt për një ish-president, aq më tepër gjatë një sezoni zgjedhor ku ai po kandidon për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.