Donald Tusk: Hoti, kandidati më i mirë për kryeministër të Kosovës

08 shkurt 2021 | 14:50

Presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), Donald Tusk, i ka dhënë mbështetje për zgjedhjet e 14 shkurtit, kandidatit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti.

“LDK-ja ka eksperiencën e duhur për t’u përballur me sfidat e Kosovës. Për këtë arsye ne i japim mbështetje të plotë kryeministrit Avdullah Hoti, dhe ekipit të tij në LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit. I besoj eksperiencës së kryeministrit, posaçërisht në ndërmarrjen e reformave ekonomike, ai po ashtu e din më së miri si të avancojë me shumë Kosovën drejt rrugës evropiane, pa retorikë popullsitë. Jam i sigurt se LDK do të bëjë me të mirën për ta drejtuar vendin në menaxhimin e pandemisë dhe krizës shëndetësore dhe do të bëjmë më të mirën për të përmirësuar ekonominë e goditur nga pandemia. Kur e shoh listën garuese të LDK-së me kaq eksperiencë, nuk kam pikë dyshimi se ju do t’ia dilni, fillimisht duke i fituar zgjedhjet të cilat duhet të jenë fer dhe të lira”, ka thënë Tusk në një adresim për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, kandidatura e Avdullah Hoti, për kryeministër është më e mira për Kosovën.  “Në këto kohë të turbullta, vetëm një ekip i tillë me eksperiencë do të ketë sukses për ta zhvilluar Kosovën, duke i ofruar asaj zhvillim e prosperitet, duke siguruar drejtësi të pavarur, media të lira dhe luftë kundër korrupsionit, duke forcuar sundimin e rendit dhe ligjit, ndarjen e pushteteve dhe qeverisjen në mënyrë transparente. Ju bëjë thirrje që të jeni të bashkuar dhe të fortë, rreth kandidaturës së Avdullah Hoti, e cila është më e mirë për Kosovën. Duhet t’i ofroni atij dhe ekipit të tij një mandat të qartë të dielën e 14 shkurtit”, ka thënë  presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), ku LDK-ja është anëtare.

Tusk e ka përmbyllur mesazhin e tij, duke kujtuar vizionin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, për Kosovën.

“ Me lejoni ta mbylli duke iu referuar vizionit të Rugovës, që ishte avokat i madh për qëllimin e tij, për një Kosovë demokratike, me shoqëri politike tolerante, dhe me ekonomi të zhvilluar, të integruar në Bashkimin Evropian. Avdullah Hoti e ka dëshmuar se vepron në këtë frymë. Ai ka dëshmuar se mund të hap dyert për një të ardhme të suksesshme për Kosovën. Ne do të vazhdojmë të jemi partner  i tij dhe LDK mund të llogaris në mbështetjen time dhe të familjes politike të Partive Popullore Evropiane, Shteti, shtet”, ka thënë Tusk.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot KEDS ka lansuar webin e ri që ofron plot…